Veseli: T’i ruajmë partnerët tonë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Veseli: T’i ruajmë partnerët tonë

15:42 | 31 Janar 2019

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, është shprehur që i vetmi qëllim i tij është që të ruhet partneriteti me SHBA-të edhe nëse kjo do të thotë që të ketë rrëzim të qeverisë apo humbje të posteve politike. Veseli gjithashtu ka folur për Mitrovicën me ç’rast ka thënë që Mitrovica do të mbetet një.

“Pak kanë rëndësi çështjet e brendshme edhe karriget, prej times e ren. Me rëndësi është që shteti është i shenjtë, dhe mençuria jonë që të mbajmë partneritetin me ata të cilët kemi arritur lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë Veseli para gazetarëve, raporton Gazeta Express.

Ai thotë se pa SHBA-të nuk do të mund të mbrohet as sovraniteti e as territori i Republikës së Kosovës.
“Nuk ka sovranitet dhe mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës pa politika të mençura e pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa partnerët perëndimor”, ka shtuar kreu i PDK-së.

Veseli ndërkohë ka përsëritur edhe një herë që nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, as asociacion me kompetenca ekzekutive, dhe ka thënë se qyteti i Mitrovicës do të jetë një .
“Mitrovica do të jetë një, nuk do të ketë këmbim të territoreve, nuk do të ketë asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive”, thotë ai.

Veseli thotë se është jetike për Kosovën që të ruhet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë perëndimor të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
“Ne kemi drejtim të qartë, e dijmë kah do të shkojmë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Gjithë orientimi ynë, është e qartë e drejtë. Ta mbrojmë atë që e kemi arritur deri sot, shteti i pavarur dhe sovran. T’i ruajmë partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe partnerët perëndimor.

Kjo është ajo të cilën po e bëjmë. Shteti dhe sovraniteti mbrohen përmes politikave të mençura dhe të qarta kombëtare, të cilat jemi duke i mbajtur. SHBA-ta janë vetë Kosova, jemi një. Aty ku është Amerika është Kosova dhe anasjelltas. E rëndësishme është partneriteti me SHBA-në, dhe gjithë orientimi im politik është drejt fuqizimit të kombit tonë me SHBA-të”, ka përfunduar ai

Komento: