Veseli tregon benefitet nga plani antikorrupsion

13:23 | 13 September 2019

Veseli thotë se plani im antikorrupsion do të shtojë dhjetëra mijëra vende të reja pune dhe qindra miliona euro investime.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli ka diskutuar sot me profesorë e studentë të fushës së arkitekturës për planin e qeverisë së tij për legalizimin e ndërtimeve pa leje me vetëm 1 euro kosto për metër katror.

Lideri i PDK-së ka thënë përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook se procesi i legalizimit të rreth 350 mijë ndërtimeve pa leje do të ndihmojë të gjithë qytetarët pasi do të zhbllokohen miliarda euro dhe do të hapen dhjetëra mijëra vende pune, duke i dhënë kështu hov të madh zhvillimor ekonomisë.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Me Planin Kundër Korrupsionit, ku planifikojmë legalizimin e ndërtimeve pa leje me vetëm 1 euro kosto për metër katror, ne do t’i zhbllokojmë miliarda euro dhe do t’i hapim dhjetëra mijëra vende pune, duke i dhënë kështu hov të madh zhvillimor ekonomisë sonë.

Sot diskutova me profesorët e arkitekturës dhe studentët e UBT-së sesi Kosova ka mbi 350 mijë ndërtime pa leje, pronarët e të cilave kërcënohen çdo ditë me shkatërrimin e atyre pronave, pasi që zyrtarisht ende nuk i kanë në posedim.

Si ekspertë të planifikimit urban dhe ndërtimit, ata e dinë mirë se duke mos i legalizuar po e mbajmë të varrosur një kapital prej 8-9 miliardë euro. Ato prona nuk janë likuide dhe nuk mund të blihen, shiten apo të përdoren si hipotekë për investime të reja.

Ne, brenda dy vjetësh, do t’i çlirojmë qytetarët nga ky ankth me legalizim të përshpejtuar të ndërtimeve që nuk cenojnë pronën apo interesin publik.

Komento: