Veseli: Udhëzimi administrative për uljen e çmimit të barnave, një hap i madh i reformave në shëndetësi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Veseli: Udhëzimi administrative për uljen e çmimit të barnave, një hap i madh i reformave në shëndetësi

14:07 | 27 Maj 2019

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Udhëzimit për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale.

Me këtë udhëzim administrativ, Kosova do të kursjeë miliona euro, ndërsa pacientët do të kenë mundësi t’i marrin barnat e nevojshme në gjitha barnatoret e Kosovës me të njëjtin çmim.

Këtë të arritur të Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeparlamentari Veseli e quajti historike.

“Me këtë qeverisje të ministrit me bashkëpunëtorë dhe me këtë pjesë të reformave po dëshmohet se kur ka vizion dhe ka qëllim të mirë, mund të kemi sukses. Do t’ia arrijmë këtij suksesi. Askush nuk mund të na ndalë. Do të kemi pengesa dhe vështirësi në rrugëtimin tonë për arritjen e qëllimeve tona për shtet ligjor, përmirësim të jetës së qytetarëve e integrim në Bashkimin Evropian, por nuk do të ndalemi. Ministër vazhdoni në këtë mënyrë, në një komunikim të veçantë dhe më të intensifikuar me njerëzit profesionistë në sektorin e shëndetësisë, përfshirë edhe farmacistët”, tha Veseli.

Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se unifikimi i çmimeve të barnave në mbarë vendin, ka qenë kërkesë 20 vjeçare e qytetarëve dhe farmacistëve.

“Jam shumë krenar që sot, për herë të parë në Kosovë, po nënshkruajmë Udhëzimin Administrativ që rregullon dhe unifikon çmimin e barnave. Ky udhëzim shënon një prej reformave më të mëdha në shëndetësinë kosovare. Duke hapur një faqe të re për shtetin dhe qytetarët, ne do të vazhdojmë të jemi në ballë të përgjegjësive tona publike, me qytetarin në qendër të secilës politikë”, tha ministri Ismaili.

Ministri Ismaili tha se në mungesë të këtij dokumenti, deri tani shteti ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët kanë shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë në vit.

Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, në emër të farmacistëve falënderoj ministrin Ismaili për vizionin dhe guximin që të merret me sfida të cilat për 20 vite nuk kanë arritur të adresohen.

“Këtë e dëshmon edhe ky draft udhëzim administrativ për çmime që daton nga viti 2003 nën administratën e UNMIK-ut, e cili asnjëherë nuk e pa dritën e diellit”, tha Jakupi.

Përmes këtij udhëzimi pamundësohet shitja e produkteve me çmime më të larta për barnat që i siguron Ministria dhe gjithashtu shitja në tregun Kosovar e barnave me çmime më të larta se sa vlera reale e tyre edhe në tregjet e rajonit.

Komento: