
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës iu drejtua medieve, pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai uroi deputetët e rijnë për legjislaturën e shtatë duke thënë se konstituimi i Kuvendit i hap rrugë krijimit të Qeverisë. Por nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
“Për dy mandate kam qenë kryetar i Kuvendit. I jam falënderues qytetarëve, deputetëve ne dy legjistlaturat e kaluara. Sot u konstituua Kuvendi. I uroje gjithë qytetarëve. Shpresojmë që dita e sotshme do t’i hap rrugë krijimit të institucioneve siç është Qeveria e Kosovës. Kryesorja është që nuk duhet t’i polarizojmë qytetarët në mes vete, dhe t’i polarizojmë qytetarët në mes vete”, ka deklaruar Veseli.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.
Kuvendi ka zgjedhur në postet e nënkryetarëve, Arbërie Nagavcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës. Kurse nga komunitetet, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komuniteti turk, u zgjodhën po ashtu në pozitat nënkryetarë të Kuvendit. Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, ka përfunduar procedura e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Seanca konstituive është drejtuar nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka, dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.