Veseli viziton Kalanë e Artanës, shprehet krenar për trashëgiminë dhe flamurin e Kosovës

21:06 | 17 Gusht 2019

Veseli ka vizituar Kalanë e Artanës.

Gjatë pasdites, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka postuar në rrjetin e tij social Facebook, një tekst për trashëgiminë e Novobërdës si dhe disa fotografi nga vizita e tij aty.

Bien në sy fotografitë me policët e Kosovës si dhe flamuri i Kosovës i vendosur në kala. Për to ai shprehet se është krenar për Novobërdën si trashëgimi e Kosovës , për flamurin që valvitet në të si dhe qoftë për policinë që kujdeset për monumentet e Kosovës. Ky duhet të ketë qenë reagimi i Veselit për faktin që para pak ditësh në media është raportuar për heqjen e flamurit të Republikës së Kosovës nga Kalaja e Novobërdës.

Më tutje ai shton se “Serbia e ka të kot që përpiqet ta përvetësoj kulturën dhe trashëgiminë tonë. Si kryeministër i ardhshëm nuk do të lejoj që të instrumentalizohet politikisht apo të preken nga askush dhe për asnjë motiv kjo pasuri e lashtë e Kosovës ”.

Kjo deklaratë me sa duket shërben si reagim ndaj deklaratave të ministrit serb të kulturës. Ky i fundit ka pretenduar se i përkasin kishës ortodokse serbe rrënojat e kishës katolike të shën Kollit në Novobërdë, ku para pak kohësh është mbajtur një meshë në shqip nga kisha katolike

Në fund në postimin e tij Veseli zotohet se si kryeministër do përpiqet t’ia kthej lavdinë e dikurshme të Novobërdës nëpërmjet sektorit të turizmit dhe minierave që, sipas tij, kanë për të hapur shumë vende të reja pune për rininë.

Postimi i plotë i Kadri Veselit në Facebook ishte:

Krenar me kalanë e lavdishme të Novobërdës, këtë perlë të trashëgimisë sonë kulturore dhe këtë vendbanim antik që ndër shekuj ka shërbyer si udhëkryq qytetërimesh. Krenar akoma më shumë me flamurin e bukur të Kosovës ,që valvitet krenar në kullat e saj, si dhe me policinë dhe institucionet e tjera të shtetit që kujdesen për monumente e vyera të Kosovës.

Serbia e ka të kot që përpiqet ta përvetësoj kulturën dhe trashëgiminë tonë. Si kryeministër i ardhshëm nuk do të lejoj që të instrumentalizohet politikisht apo të preken nga askush dhe për asnjë motiv kjo pasur e lashtë e Kosovës.

Ne kemi për tja kthyer lavdinë e dikurshme Novobërdës, jo vetëm duke e bërë një atraksion ndërkombëtar të turizmit kulturor por edhe duke rimëkëmbur minierën e vjetër. Kudo ku shkoj në Kosovë, shoh se ka potencial të madh zhvillimi dhe jam i bindur se e po të ndjekim drejtimin e duhur politik, kemi për të hapur shumë vende të reja pune për rininë.

Komento: