Mungesa e një sistemi qendror të Policisë, vështirëson pagesën e kundërvajtjeve në trafik.
Më shumë se 400 mijë gjoba i kishte shqiptuar Policia e Kosovës për kundërvajtësit në trafik, vetëm gjatë vitit të kaluar. Por, qytetarët që marrin gjoba, kanë ankesa lidhur me formën dhe vërtetimin e pagesës së gjobës.
L.J (emër i njohur për redaksinë) i cili muaj më parë, derisa po udhëtonte në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, ishte gjobitur për shkak të problemeve me dritat në veturën e tij, thotë se gjoba nuk i ishte shlyer pas kryerjes së pagesës.
Për ta shlyer gjobën nga sistemi, ai thotë të jetë detyruar të shkojë në Mitrovicë, edhe njëherë tjetër, vetëm për të dërguar fletë-pagesën si dëshmi – gjë që, sipas tij, i ka shkaktuar shpenzime shtesë dhe humbje kohe, raporton rel.
“Për ta paguar gjobën, fillimisht më është dashur të shkoj në një agjenci ku bëhen pagesat dhe përveç kësaj, mua më është dashur të shkoj në një qytet tjetër, në këtë rast Mitrovicë, për të bërë shlyerjen e dënimit pasi që e kam bërë pagesën. Do të thotë, edhe pasi që e kam bërë pagesën, më është dashur të shkoj në Mitrovicë për ta bërë shlyerjen e gjobës. Kjo më ka shkaktuar humbje kohe dhe shpenzime ekstra, do të thotë rrugën për të shkuar për bërë lajmërimin që e kam paguar gjobën dhe pastaj të pres derisa ta largojnë atë nga sistemi”, shpjegon ai.
Dërgimi i fletë-pagesës së gjobës në komunën ose rajonin brenda territorit të së cilit është gjobitur, për të dëshmuar shlyerjen e borxhit, sipas tij, është i pakuptimtë.
“Mua më intereson se pse kur bëhet pagesa me një vend tjetër, në atë moment nuk bëhet edhe shlyerja e gjobës nga data-baza? Sepse do të ishte shumë më e lehtë që dënimi të fshihet nga data-baza menjëherë pas pagesës, sepse unë e shoh shumë të panevojshme të shkojmë në një qytet tjetër për ta bërë lajmërimin që e kemi bërë shlyerjen e borxhit”, thotë ai.