Nëse deri në nëntor hyn në fuqi Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike që parasheh edhe tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale, Trusti siguron se deri në dhjetor kontribuuesve do t’u dalin mjetet financiare në llogaritë e tyre financiare.
Megjithatë, pagat e ulëta në vend, kanë ndikuar që gjysma e kontribuuesve në Trust të marrin vetëm nga 100 euro, derisa 105 mijë kursimtarë nuk do të mund të marrin më shumë se 10 euro.
Përkundër që pandemia ka pasur efekte negative edhe në uljen e punësimit në vend, Jeton Demi, zëdhënës i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, thotë se deri tash vetëm 6 mijë kontribuues janë më pak në Trust krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Demi thotë për stimulimi nga Qeveria për të futur në skemë të punësuarit që nuk kanë qenë më herët e ka reduktuar këtë diferencë, por pandemia ka ndikuar në uljen e të punësuarve që, edhe jo në shifra zyrtare, thotë se mund të jetë mes 20 e 40 mijë personave.
“Këtë vit ne kemi pasur raste që të raportuar si të punësuar, por të pa paguara kanë kaluar edhe 30 mijë sosh, që janë raportuar, por nuk janë bërë pagesat për ta. Në mesatare nuk na rezulton deri në këtë moment ndonjë devijim shumë i madh. Në mesatare kanë kontribuar krahasuar me vitin e kaluar rreth 6 mijë kontribuues më pak, por ne duhet të shohim mbylljen komplet të këtij viti për të bërë krahasimet e çdo muaji krahasuar me një vit më parë apo edhe dy-tre vite më parë. Me këto shifra nuk duket se efekti i pandemisë ka lënë pasoja… Stimulimi për të futur në skemë të punësuarit që nuk kanë qenë më herët e ka reduktuar këtë diferencë, por pandemia ka ndikuar në uljen e të punësuarve… që mund të jetë mes 20 e 40 mijë”, thotë Demi.
Ndryshe, për rënien e punësimit në pandemi, po vazhdon të heshtë Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), e cila është e thirrur për të nxjerrë rezultatet e papunësisë, që deri tash drejtues të kësaj Agjencie nuk kanë pranuar të flasin për lidhur me këtë çështje.
Sa i përket 10 për qind të Trustit, Demi ka thënë se të gjitha ata kontribuues që shprehin interesin për të tërheqjen e kursimeve të tyre, kjo do të ndodhë para Vitit të Ri, gjithnjë nëse hynë në fuqi Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike deri në nëntor.
“Nëse në nëntor kemi ligj të miratuar dhe të hyrë në fuqi, është çështje ditësh ose javësh që të gjitha pagesat e aplikuara në atë periudhë besoj që do ët ekzekutohen pa problem. Mund të themi se mund të përfundojnë edhe para Vitit të Ri”, tha. Demi ka treguar edhe për kategoritë e kontribuuesve ndër vite me paga të larta dhe të ulëta dhe për shumën që do t’u takon atyre nga 10 përqindëshi.
“Prej 501 euro e deri në 1000 euro në vitin 2019 kemi pasur 87 mijë e 98 kontribuues që përbënin 24 për qind të të gjithë kontribuuesve. Deri në 250 euro kanë qenë 34 për qind e kontribuuesve ose 124 mijë e 917, ndërsa nga 251 deri 500 euro kanë qenë 36 për qind e kontribuuesve që përbëjnë shumicën prej 130 mijë e 361. Kurse mbi 1000 euro janë vetëm 6 për qind ose 20 mijë e 955 kontribuues… Deri në 100 euro kontribute kanë qenë 104 mijë e 137 kontribuues ose 16 për qind e të gjithë kontribuuesve… Nën pagë mesatare i kemi 34 për qind e kontribut dhënësve për vitin 2019. Po ashtu një shifër shqetësuese për pensionet e tyre të ulëta në të ardhmen. Kur llogaritëm kush sa do të tërheq nga 10 përqindëshi, gati gjysma e kontribuuesve, 49 për qind, do të marrim më së shumti 100 euro, që është pak… Ndërsa, 16 për qind prej kontribuuesve do të marrin maksimumi 10 euro. 104 mijë e 137 kontribuues kanë bilën deri 100 euro që i bie maksimumi deri 10 euro”, theksoi ai.
Në dhjetë vitet e fundit numri i kontribuuesve aktiv është në rritje, duke përjashtuar vitin 2020. Megjithatë tashmë raportohet se janë 300 mijë llogari aktive.