Sokol Halili kishte pasur vetëm një fishek në revole, Policia tregon çfarë gjeti në vendngjarje.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh për ngjarjet e ditës paraprake, ka dhënë detaje edhe për rastin e vetëvrasjes së Sokol Halilit, autorit të vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së, shkruan Gazeta Express.
Siç bën të ditur policia, gjatë intervenimit në shtëpinë e Sokol Halilit në fshatin Davidovc të Shtimes ishte arritur që të largohen familjarët e tij nga shtëpia, derisa vetë Sokol Halili nuk kishte pranuar negocimin me policinë.
Si rezultat i kësaj, ai ka qëlluar veten me revole dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë.
Trupi i pajetë i autorit të vrasjes së ish-gruas së tij më pas është dërguar për obduksion.
“Fsh. Davidoc, Shtime 02.12.2022 – 13:45. Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me policinë dhe ka qëlluar veten me revole. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë. Përveç njësive të nevojshme policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.