‘Veteranët e rrejshëm’, ja çka do të ndodh sot në gjykatë. – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

‘Veteranët e rrejshëm’, ja çka do të ndodh sot në gjykatë.

08:03 | 28 Janar 2019

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të mbahet seanca e parë për “veteranë të rrejshëm”.

Sot me fillim prej orës 10:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet seanca e parë në lidhje me aktakuzën për fryrjen e listave me “veteranë të rrejshëm” që kur është ngritur aktakuza.

Në këtë seancë pritet të diskutohet në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, kanë marrë ftesat nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 centë.

Aktakuza ishte kthyer mbrapa më 9 tetor 2018, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e aktakuzës, duke i lënë kështu 30 ditë kohë në dispozicion për plotësuar dhe ndryshuar.

Komento: