Veteranët e UÇK-së pritet sërish të dalin në protestë.
Në vendimin e Qeverisë për rritje të pensioneve nuk u përfshinë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këta të fundit po ndihen të zhgënjyer me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, po paralajmëron edhe protesta lidhur me këtë çështje.
Qeriqi një intervistë për Ekonomia Online, tha se ata kanë pritur të rendohen në ngritjet e fundit që janë bërë nga Qeveria e Kosovës, por që dolën të zhgënjyer.
“Ne kemi pritur që do përfshihemi në këto ngritjet e fundit të pensioneve që janë bërë. Fatkeqësisht jemi anashkaluar nga ana e Qeverisë, kemi shpresuar që do përfshihemi në Ligjin e Pagave, sepse jemi një kategori e cila e meriton të trajtohet më dinjitetshëm, nuk ka ndodhë dhe jemi të zhgënjyer nga vendimet e fundit që i ka marrë Qeveria dhe asnjëherë nuk na ka dhënë një sqarim se pse kjo kategori është lënë anash dhe tashmë jemi në diskutim me bashkëluftëtarët dhe po presim se cili është vendimi i tyre dhe kërkesat e tyre në rast se është një disponim i tyre për të protestuar ne jemi të gatshëm që të ndërmarrim një hap për shkak që jemi lënë anash nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Qeriqi
“…Ne po shpresojmë që do të ndërmarrë ndonjë hap kryeministri, duke e ditur se vetë ka qenë pjesë e luftës dhe e dinë se çfarë rëndësie kanë luftëtarët e UCK-së, por në rast se nuk ndërmerr ndonjë hap në këtë drejtim, ne pa dëshirën tonë jemi të detyruar që të protestojmë, që të kërkojmë edhe ne si kategori e kësaj shoqërie një ngritje të pensioneve”.
Lidhur me mos realizimin e kësaj kërkese të tyre ai tha se Qeveria e Kosovës ka pasur një arsye, e ajo ka qenë pasi që listat e veteranëve kanë qenë të fryra dhe nuk do mund ta mbulonin pjesën e shpenzimeve.
Por, fajin për këto fryrje të listave të veteranëve, Qeriqi po ia hedh vetë Qeverisë së Kosovës ngase sipas tij kjo e fundit e ka përgjegjësinë ta bëjë pastrimin e këtyre listave.
“Arsyetimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është se është një shifër e madhe e veteranëve të luftës, këto fryrje janë bërë nga komisioni qeveritar dhe fajin për këto fryrje e ka Qeveria, ata duhet të ndërmarrin hapa për pastrimin e këtyre listave dhe luftëtarët e vërtetë të trajtohen siç e meritojnë”, tha Qeriqi
Lufta e fundit në Kosovë, Qeriqin e la edhe me pasoja shëndetësore. Ai mori disa plagë në këmbë, ku edhe sot e kësaj dite po vazhdojnë t’i shkaktojnë probleme.
Por, për mbulimin e shpenzimeve mjekësore, Qeriqi po e ka problem t’ia dalë, pasi që ai nuk merr asnjë ndihmë financiare nga institucionet e Kosovës. Ai thotë se ai shpesh është detyruar ta lërë keq edhe familjen e tij, vetëm për paguar mjekimin e tij.
“Unë kam pasur dhe vazhdoj të kem probleme me shëndetin, i kam pasur disa intervenime në Shqipëri dhe në spitalet e Kosovës, tash së fundi kam qenë në Turqi, falë një organizate qeveritare të Turqisë, ata ma kanë mundësuar. E kam edhe një operim që pritet ta përfundoj në Turqi, deri më sot si luftëtar i UÇK-së, me plagë të rënda që kam, asnjë cent nga Qeveria e Kosovës nuk e kam marrë, përveç kuvendi komunal i Fushë-Kosovës në disa raste me shuma të vogla për rrugë dhe disa shpenzime të vogla më ka ndihmuar.
“Kjo kosto është vështirë e përballueshme, unë shpesh herë e kam lënë edhe familjen time keq për tu marrë me shëndetin tim. Edhe në këtë rast jam i zhgënjyer nga Qeveria, pasi kam parë që në shumë raste ka ndarë mjete dhe asnjë rast nuk e kam parë që ka ndërmarrë një hap për një luftëtarë ose një invalid të luftës ose një familjar që ka nevojë për shërim”, u shpreh ai.