Veteranët paralajmërojnë protesta

07:49 | 18 Qershor 2024
veteranet-paralajmerojne-protesta

Veteranët e UÇK-së, edhe më tej vazhdojnë të jenë kategoria më e shtypur në vend, përkundër faktit se në një kohë kontributi i tyre për çlirimin e vendit ka qenë sa i madh aq edhe jetik, shkruan FrontOnline.

170 euro që është pensioni i tyre, e që del i pamjaftueshëm për këtë kategori, kur merret parasysh inflacioni në vend dhe ngritja e standardit të jetës me çmime.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, thonë se Qeveria e Kosovës, po i shtypë dhe po e degradon këtë kategori, e që sipas tyre është vlerë sublime, derisa nga OVL-UÇK, paralajmërojnë protesta nëse Gjykata Kushtetuese, nuk e kthen në favor të tyre vendimin i cili ka thuajse gati një vit prej kur është dërguar nga një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër sipas Ministrisë së Financave, numri i veteranëve të regjistruar është 36.767 dhe buxhetit të shtetit i kushton prej 6.133.967 euro, pagesa për një muaj për këtë kategori.

 

Klinaku i OVL-UÇK paralajmëron Qeverinë Kurti: Do të dalim në protesta

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, për FrontOnline thotë se Qeveria Kurti ka punuar kundër veteranëve të UÇK-së.

‘’Kjo Qeveri ka punuar kundër veteranëve të luftës, e dyta ju e dini se ne kemi pasur protesta sepse i kanë hequr veteranët nga paga minimale’’ thotë ai.

Klinaku, thotë se pikërisht për atë se veteranët e UÇK-së, janë hequr nga Ligji për Pagën Minimale, kanë biseduar me disa deputetë që e kanë dërguar këtë gjë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

‘’Për shkak të kësaj, ne kemi biseduar me disa deputetë të Kosovës, që e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe kemi pritë dhe po e presimin vendimin e GJK-së sepse kjo’’, deklaron ai.

U.D i kreut të OVL-UÇK-së, për FrontOnline, thotë se pensionet që ata i marrin nuk janë i mjaftojnë për nevojat e tyre.

‘’Qeveria i ka hequr padrejtësisht veteranët nga Ligji për pagën minimale. Ju po e shihni se çfarë inflacioni ka në Kosovë/. 170 euro që i marrin tash janë sikur 70 euro më herët me i pas marr. Këto para nuk janë të mjaftueshme’’ thekson ai.

Klinaku, potencon se komunikimi i fundit që kanë pasur me Qeverinë Kurti, ka qenë para dy viteve duke paralajmëruar se nëse Gjykata Kushtetuse nuk e kthen në favor të tyre vendimin, do të ketë protesta.

‘’Komunikimi i fundit me këtë Qeveri ka gati dy vite që s’kemi fol. Me pas komunikimin, qysh duan ata jo, sepse i vetmi kompromis është sipas Ligjit, po Ligjin nuk guxojnë me prekë se nëse Gjykata Kushtetuese e kthen vendimin në favor të Qeverisë neve do na ketë në protesta. Kur të kthehet në favor të Qeverisë, GJK vendimin, neve na ka në rrugë Qeveria’’ thotë i pari i OVL-UÇK-së, për FrontOnline.

 

 

Berisha: Kjo Qeveri e ka vizion degradimin e veteranëve dhe detyrë rrënimin e tyre

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, thotë se është detyrim ligjor që kategoria e veteranëve të luftës, të jetë nën nivelin e së paku të pagës mininamle në shtet.

‘’Veteranët dhe kategoritë e dala nga luftta në bazë të ligjit për këto kategori, është detyrim ligjor të jetë nën nivelin së paku të pagës minimale në shtet. Fakti që janë lën jashtë ligjit për pagën minimale është shkelje’’ thotë ai.

Berisha, thotë se shporta familjare është më e varfër në gjithë rajonin, duke u shprehur se veteranët janë kategoria më sublime e vendit.

‘’Para dy vitesh kur pensioni ka qenë 200 eurp. shporta familjare ka qenë më varfër në gjithë rajonin, ndërsa sot pas katër viteve gjendja mbetët e njejta, por 150% është më e varfër se para katër viteve. Këta janë kategoria më sublime, që kanë sakrifikuar edhe jetën dhe nuk është e dinjitetshme që me u trajtu në këtë formë’’ thekson deputeti Berisha.

Deputeti i PDK-së, deklaron se Qevria Kurti e ka dëshmuar se është kundër veteranëve dhe që sipas tij, kjo Qeveri e ka vision degradimin e veteranëve dhe po ashtu e ka detyrë rrënimin e tyre.

 ‘’Kjo Qeveri ka dëshmuar se çka bën për veteranët. Ju e dini në bazë të përgjimeve, me një fakt me zë, se si Kusari-Lila është koordininuar me kriminel të pushtetit serb, për diskrimin e veteranëve. Kjo Qeveri me çdo shantazh e ka kaluar këtë ligj, kjo Qeveri ka vizion degradimin e vlerave të luftës, dhe rrënimin e tyre e kanë detyrë’’ shton ai.

Berisha për FrontOnline., potencon se në qoftë se Gjykata Kushtetuese nuk vendos në favor të veteranëve,  tregon se është e kapur nga pushteti.

‘’Në qoftë se Gjykata Kushtetuese vendos sipas ligjit, ajo do të vendos në favor të veteranëve, edhe deputetët që janë angazhuar, duhet përgëzuar por nëse ky vendim nuk është në favor të veteranëve, mund të flasim hapur se do të ishte kapje e asaj gjykate’’ përfundon deputeti Berisha.

 

Syla i AAK-së për veteranët: Qeveria i ka injoruar, Gjykata Kushtetuese të vendos në favor të tyre

Sekretari i AAK-së, njëherit kryetar i OVL-UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla, për FrontOnline thotë se pensionet që marrin aktualisht veteranët e UÇK-së, nuk i mbulojnë as nevojat elementare të tyre.

‘’Pensionet e veteraneve nuk arrijnë t’i mbulojnë as nevojat elementare te tyre’’ thotë ai.

Syla, deklaron se Qeveria e Kosovës e ka ndërprerë komunikimin me ketë kategori duke injoruar gjitha kërkesat e tyre

‘’Qeveria e Kosovës ka ndërprerë çdo komunikim me Veteranët dhe ka injoruar të gjitha kërkesat e tyre, përfshirë edhe pagesën për protezat e Invalidëve që humbën gjymtyrët në luftë’’ shton ai.

Ai thotë se pret nga Gjykata Kushtetuese të vendos në favor të Ligjit, dhe që të mos ketë presion ndaj tyre, pra vendimi të jetë në favor të veteranëve të UÇK-së

‘’Presim që Gjykata Kushtetuese do të vendos në favor të ligjit, pa presione, dhe të shpall të pavlefshëm atë që VV e Serpska e miratuan bashkë, kundër veteranëve të luftës. Përfshirja e Veteranëve në pagën minimale, është e garantuar me ligj’’ potencon Syla për FrontOnline.

 

Deputeti Humolli: Kjo Qeveri e ka injoruar veteranin dhe ka bërë shkelje ligjore

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, për FrontOnline, deklaron se ka një tendencë që veteranët e UÇK-së, të paraqitën si kategori sociale, por që për të, kjo kategori është vlera më sublime e vendit.

‘’Veteranët e UÇK-së nuk janë kategori sociale, por janë vlerë kombëtare që duhet çmuar dhe kjo duhet me u vlerësu dhe respektu nga shoqëria, por këtu është një tendencë me kuptu se këta janë një kategori sociale’’ thotë ai.

Humolli, thotë se tash është vështirë që një veteran i UÇK-së të punoj, duke marr parasysh moshën e tij.

‘’Edhe mënyrë edhe ligji, që kjo kategori mos me pasur të drejt me punu, e ka amartozi, e kanë të vështire me e përballu tregun e punës, kjo vlerë është në kundërshtim me mundësitë reale me mbijetu në tregun ekonomik sot, për shkak të tregut që është sot’’ shprehet ai.

Deputeti Humolli, për FrontOnline, thotë se Qeveria Kurti e ka injoruar këtë kategori dhe se shpeshë here ka bërë shkelje ligjore.

‘’ Dhe kjo Qeveri e ka injoruar veteranin. Unë ekspert nuk jam, por ekspertët e shohin se çka është shkelja ligjore dhe sa janë shkelje ligjore, sepse kjo Qeveri shpeshë herë ka bërë shkelje ligjore’’ thekson ai./FrontOnline/

 

 

Komento: