Gjykata Speciale ka nisur punën.
Në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese është referuar rasti i parë sa i përket hetimeve dhe ftesave që Specialja dhe Prokuroria e Specializuar janë duke i bërë në Kosovë.
“KohaVisioni” ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet brenda Gjykatës Speciale se një nga të ftuarit e Prokurorisë e ka vlerësuar si jokushtetuese kërkesën që i është bërë që të sjellë me vete çfarëdo prove që ka ky i dyshuar kur të shkojë në Hagë për intervistim. Gjithashtu, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, tashmë ka caktuar 3 gjyqtarë që të shqyrtojnë këtë rast.
Lajmi është konfirmuar nga avokati Artan Qerkini, i cili ka thënë se ata e kanë paraqitur kërkesën në emër të klientit të tyre por kanë shfrytëzuar mundësinë që të dhënat personale të të dyshuarit të mbesin konfidenciale, meqenëse ai nuk ka dashur t’i bëhet publik emri.
Televizioni mëson se ky i dyshuar nuk është figurë e njohur publike por ka qenë pjesë e UÇK-së.
“Në kërkesën tonë kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të konstatojë si në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane, urdhrin e Prokurorit të Specializuar me të cilin ai urdhëron klientin tonë që të paraqesë dokumente, skica, fotografi e prova të tjera. Ne mendojmë se urdhri në fjalë cenon së paku dy parime të mbrojtura me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejta të Njeriut dhe atë: parimin e ndalimit të zhvendosjes së barrës së provës prej Prokurorisë tek i pandehuri dhe dy, privilegjin e mos inkriminimit”, ka thënë për KTV-në Qerkini.
Bazuar në Ligjin për Dhomat e Specializuar, Gjykata Kushtetuese që është në Kosovë nuk njihet për referim të rasteve por ajo ka një Dhomë të veçantë në Hagë, e cila merret ekskluzivisht me referime kushtetuese lidhur me punën e Prokurorisë dhe Gjykatës së Specializuar.