Vetëvendosja e vetme në zgjedhje, Molliqaj ka diҫka për të thënë

15:18 | 31 August 2019

Me 6 tetor pritet që të mbahen zgjedhjet në vendin tonë.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, tash deputet në largim i PSD’së, ka lëshuar akuza në drejtim të Partisë së Albin Kurtit. Ka thënë se VV mbeti e vetmuar pavarësisht lutjeve që i bëri LDK’së për koalicion parazgjedhor.

“Para më shumë se dy javë, e thash atë që u konfirmua dje: PDK dhe VV do të mbesin të vetmuara në këto zgjedhje. PDK për shkak të veprimeve të saj në të kaluarën, ndërsa VV për shkak se nuk mund të bashkëpunojë dot me askë”, ka thënë Molliqaj teksa ka publikuar edhe një video me parashikimin se me VV’në s’shkon askush në koalicion.

Molliqaj ka thënë se koalicioni PSD-AAK po shkon drejt fitores.

“Koalicioni ynë, i qartë dhe i vendosur nga fillimi, me plane konkrete për zhvillimin e Kosovës, do të jetë koalicion fitues i këtyre zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje kanë negociuar një koalicion parazgjedhor por që dështoi pasi s’u pajtuan për pozitën e Kryeministrit.

Albin Kurti kishte kandiduar për Shef të Qeverisë edhe në mandatin e fundit kur Kryetar i Vetëvendosjes ishte Visar Ymeri, aktualisht pjesë e PSD’së.

LDK kishte kandiduar Avdullah Hotin, i cili dështoi të dalë i pari. Koalicioni PAN ishte renditur i pari ndërsa Shef i Qeverisë ishte Ramush Haradinaj.

Komento: