Vetëvendosje akuzon Shpend Ahmetin se po i shpërndan dhurata vetes dhe shokëve

14:46 | 28 Dhjetor 2018

Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, sot dorëzuan në Departamentin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës informata që kanë të bëjnë me këqpërdorimin e detyrës zyrtare nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kështu u tha në një njoftim të lëvizjes Vetëvendosje.

Aktivistja Rinë Zhitia tha se më 21 dhjetor të këtij viti, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një vendimi ka ndarë 60 mijë euro për festivalin ‘Sunny Hill’ shumë të cilën e ka arsyetuar për pagesën e performancës së artistit Action Bronson.

“Kohëve të fundit, kryetari ka filluar që paranë e qytetarëve të Prishtinës, ta shpërndajë si t’i teket.Kujtojmë se kjo përveçse është e pandershme, në këtë rast, përbën edhe shkelje të rëndë të konfliktit të interesit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili është edhe vetë anëtarë bordi në festivalin ‘Sunny Hill’.

Pavarësisht se ai mund të deklaroj tani ndryshe, ka deklarata publike dhe gjithashtu edhe ueb faqja e OJQ-së ku janë derdhur këto mjete e ka vërtetuar këtë. Megjithëse, kohën e fundit çuditërisht emri i Kryetarit si anëtarë bordi fshihet nga kjo ëeb faqe”, tha Zhitia.

Përveç kësaj, kjo mbështetje e kryetarit të Komunës nuk ishte për një organizim publik për qytetarët e komunës, por kjo mbështetje shkoi për festivalin tek i cili biletat kanë qenë nga 35 deri në 75 euro.

“Duke ditur gjendjen ekonomike e sociale në vendin tonë (vetëm në Komunë të Prishtinës janë mbi 250 familje që presin në listën për banim), ky vendim i Komunës nuk është asgjë tjetër veçse rrëshqitje gjithnjë e më e madhe e qeverisjes komunale në oligarki e cila i favorizon organizimet e veta dhe të shokëve të tyre”, tha ajo.

Zhitia kërkoi nga departamenti i krimeve ekonomike në polici që të ndërhyjë dhe të hetojë konfliktin e interesit në këtë rast; të nisë hetimet për këtë rast flagrant ku kryetari Ahmeti po shpërndan mjete të qytetarëve nga buxheti i Komunës, si dhurata për veten dhe shokë e tij. /Telegrafi/

Komento: