Vetëvendosje do të ketë 2500 komisionerë dhe 6000 vëzhgues me 14 shkurt

11:18 | 06 Shkurt 2021

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi ka treguar se në zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë 2500 komisionerë dhe 6000 vëzhgues.

Sipas postimit të LVV-së, ata nuk duan t’i lënë asgjë rastësisë.

Postimi i plotë:

Aktivistët më të përgatitur në të gjitha aspektet do të jenë në ditën e zgjedhjeve të ngarkuar me mbrojtjen e votës. Një trupë e mirorganizuar dhe e trajnuar, me 2500 komisionerë dhe me 6000 vëzhgues, do të jenë në çdo vend ku votohen e numërohen votat.

Edhe vëzhguesit e huaj, mediat, por edhe gjithë qytetarët, kësaj radhe do të jenë të gatshëm për të ndihmuar që asnjë votë të mos vidhet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti që ka vendosur standardin e mbrojtjes aktive të votës përballë çdo manipuluesi.

Lëvizja gjithnjë ka qenë në mbrojtje të votës së lirë, pa patur parasysh se për cilin subjekt ka qenë ajo votë.

E tash kur ndryshimi pritet të jetë kaq i madh, edhe më të sigurta e të garantuara do të jenë votat e të gjithë qytetarëve. Asgjë nuk i është lënë rastësisë, sepse do të jetë një ditë e madhe e një fitoreje të jashtëzakonshme.

Komento: