Vetëvendosje gjobitet me 2 mijë e 400 euro nga PZAP

23:34 | 20 Tetor 2021

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 2,400 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Në vendimin e PZAP-it për ankesën me numër 619/2021, të publikuar të mërkurën, thuhet se pranohet e bazuar ankesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndërsa subjektit politik LVV i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 1,200 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se me datë 15 tetor, LDK-ja ka parashtruar ankesë në PZAP me të cilën pretendon se në komunën e Podujevës, po me datë 15 tetor, aktivistët e saj kanë vërejtur se kandidatja e LVV-së për Kuvendin Komunal të Podujevës, Sebastiana Vokrri, ka shpërndarë baner, në hapësirë të palejuar.

Edhe ankesa tjetër me numër 629/2021 ishte parashtruar po ashtu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes – Thyerje e Heshtjes Zgjedhore.

PZAP-i e ka pranuar ankesën si të bazuar dhe ka dënuar sërish LVV-në me gjobë në vlerë prej 1,200 euro.

Në arsyetimin e PZAP-it për këtë vendim thuhet se LDK-ja e ka paraqitur këtë ankesë në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor, përmes së cilës pretendohej se kandidati për Kuvend Komunal i LVV-së, Adem Breznica, ka dërguar SMS përmes të cilëve ka bërë thirrje për votim, duke shkruar “Dil Voto- 17 tetori është sot”.

LVV-ja detyrohet që gjobat e shqiptuara t’i paguajë në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Komento: