
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me kërkesën e opozitës për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për situatën me energjinë elektrike.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari the se sot në Kuvend u tentua të bëhet një përpjekje e kundërligjshme për formimin e këtij komisioni në kundërshtim me rregullat për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme. Kjo ishte përpjekja e dytë e opozitës të cilët në kundërshtim me rregullat për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar. Ata tentuan të na vendosin para aktit të kryer. VV refuzoi të bëhet pjesë e kësaj vendimmarrje. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar, Ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës kur bëjnë shkelje, përkundër faktit që ne mbështesim”, u shpreh ajo.
Kusari tha se Lëvizja Vetëvendosje është për hetim parlamentar, por nuk mund të ju dalin në ndihmë opozitës duke shkelur normat ligjore.
“Ajo çka ne po shohim sot është një qasje kundërthënëse kur po kërkohet mbështetja jonë por edhe po paragjykohet ende pa filluar votimi. Deri në një rrethanë kur ata ofrojnë një zgjidhje që është e pranueshme, ne nuk mund të ju dalim në ndihmë përderisa bëjnë gabime që përcillen me shkelje të normave ligjore”, tha Mimoza Kusari-Lila.