Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti do të përballet me drejtësinë kosovare.
Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje paraqet kallëzim penal për keqpërdorimet me tenderë për furnizimin me qumësht.
Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës kundër kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ky kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime në vlerë prej 530 mijë eurove në tenderët për furnizim me qumësht nga ana e Komunës së Prishtinës.
“Kallëzimin penal e paraqesim për keqpërdorim të mbi 530 mijë eurove në tenderin për furnizim me qumësht për klasat 1 deri në 5 në komunën e Prishtinës”, tha Valdrin Ahmeti nga LVV.
“Kjo pasi që në vitin e kaluar tenderin për furnizim me qumësht e ka fituar Devolli, në vlerë prej 200 mijë eurove, ndërsa këtë vit me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin afat kohor e ka fituar kompania “ABRAZEN”, në vlerë prej 733 mijë eurove. Pra vlera e keqpërdorimeve është mbi 500 mijë euro, dhe pronar të vërtetë të dy kompanive janë vëllezërit Devolli. Pasi që në kompaninë “ABRAZEN” figurojnë disa persona të autorizuar dhe anëtar të punësuar të kompanisë Devolli Group, njëri nga ta Ernest Isufi, i cili figuron drejtor në Devolli Group”, tha Ahmeti.
Lëvizja Vetëvendosje ditë më parë në një konferencë për media shpalosi pretendimet e tyre rreth keqpërdorimeve me tenderin për furnizim me qumësht.
LVV e akuzon kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti se është i përfshirë në keqpërdorime.