
Vetëvendosje dhe LDK janë duke u përgatitur për bashkëqeverisje.
Ish-deputetja e Vetëvendosjes, kandidate edhe për një mandat të ri, Albulena Haxhiu, ka thënë se në takimin e sotëm mes zyrtarëve të VV-së dhe të LDK-së janë caktuar afate se kur duhet të përfundojnë takimet e grupeve të ekspertëve.
Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu tha se 7 nëntori pritet të jetë takimi i fundit i këtyre grupeve punuese.
“Sot i kemi vendosur afate vetes, nuk do të vazhdojmë kështu pafund me këto takime, por e kemi strukturuar punën tonë. Të hënën e ardhshme do të mblidhen sërish grupet punuese ku do të flasin për zhvillimin ekonomik. Të enjten e ardhshme flasim për rendin dhe ligjin, e kështu me radhë”.
“7 nëntorin e kemi përmendur si takimin e fundit të këtyre grupeve. Por, para certifikimit të rezultateve zgjedhore s’do ta bëjmë as ne nënshkrimin e marrëveshjes. Marrëveshja mund të nënshkruhet pas certifikimit, dhe ne do të jemi gati deri atëherë”, potencoi Haxhiu.
Ajo tha se nuk është diskutuar në takimin e sotëm për numrin e grave që do të jenë pjesë e qeverisë së re, por tha se kjo është diskutuar në takimin e parë. Sipas saj, përqindja e grave pjesëmarrëse në qeverinë e re mund të shkojë deri në 50%.
“Nuk e kemi diskutuar sot se sa gra do të jenë në qeveri, por e kemi diskutuar në takimin e parë. Zoti Kurti, por edhe zonja Osmani më duket, patën nënshkruar zotimet e shoqërisë civile për përfshirje të 30% të grave në qeveri. Por, ne do ta rrisim këtë, deri në 50 për qind. Minimumi do të jenë 30%”, tha ish-deputetja e VV-së.
Ajo thotë se nuk është folur për emrat e përveçëm për drejtimin e ministrive, ndërsa tha se ajo vetë është e gatshme të kontribuojë kudo që e kërkon Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, LVV-ja nuk ka insistuar në marrjen e ministrive të caktuara, duke potencuar se s’ka një kusht të tillë si ‘o kështu o ndryshe s’bën’.
“Ne ende s’e kemi definuar asnjë ministri. Ende s’janë diskutuar se kush cilën ministri do ta drejtojë, sepse besoj që kjo është përgjegjësi e kryetarëve të partive. Ministria e Drejtësisë dhe e Brendshme lidhen më shumë me Kryeministrin. Ndoshta për këtë arsye i kemi përmendur, por nuk kemi kushtëzuar. Kemi besim të ndërsjellë me LDK-në dhe besoj se do të vazhdojmë kështu”, tha Haxhiu.
Ajo tha se as nga LDK-ja nuk ka pasur kushte për koalicion paszgjedhor, ndërsa ka përmendur faktin e mosarritjes së marrëveshjes për koalicion parazgjedhor.
Sipas saj, ndarja më e mirë e dikastereve do të ishte 50-50, pasi, siç tha ajo, kryeministri nuk hyn në këtë kombinim pasi “LDK-ja nuk na e dha kryeministrinë, por elektorati”.
Ish-deputetja e VV-së tha se secili ministër do ta ketë obligim që t’i raportojë kryeministrit dhe theksoi se kjo s’do të lejojë që të ketë privatizime të ministrive nga partitë e ndryshme politike gjatë qeverisjes së kaluar, të cilat, siç tha ajo, “kanë bërë çfarë kanë dashur në to”.
Haxhiu: Sot definuam numrin e ministrive dhe zëvendësministrave në qeverinë VV-LDK
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se të mërkurën në takimin e dytë të grupeve punuese të kësaj partie dhe LDK-së, është definuar numri i ministrive dhe zëvendësministrave për qeverisjen e ardhshme.
Ajo ka thënë se dy partitë janë pajtuar që të kenë 12 ministri, e jo më shumë se 30 zëvendësministra në total.
“Që pas 6 tetorit kur përfundoi procesi zgjedhor, jemi angazhuar për të pasur takime me LDK-në, duke u bazuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve ku qytetarët dërguan sinjale se cilat subjekte i duan që të qeverisin me vendin. Rezultatet e zgjodhën VV-në fituese, por në përgjithësi opozitën e kaluar. Siç kemi thënë, konsiderojmë se opozita e kaluar duhet të jetë qeverisja e ardhshme. Ka pas takim edhe të krerëve. Janë dakorduar për formimin e grupeve punuese Në dy takimet isha prezente. Pati atmosferë jashtëzakonisht optimiste e pozitive. Sot jemi dakorduar për formatin e qeverisë, strukturën se si do të duket qeveria Kurti, për numrin e ministrive. Sot u definua se do të jenë vetëm 12 ministri. I kemi pasqyruar se si do të duken. S’do të ketë më shumë se 27 ministra, e jo afër 100 sa ishin. Kemi caktuar që të mos ketë më shumë se 30, por numri 27 është përmendur”, ka deklaruar ajo në Interaktiv të KTV-së.
Sipas saj, katër nga ministritë do të jenë “superministri” bazuar në fuzionimin e tyre. Këtu përfshihen Ministria e Punëve të Jashtme, ku tash pritet të hyjë edhe ajo e Integrimeve Evropiane si dhe e Diasporës. Te ajo e Brendshme do të përfshihet ajo e Pushtetit Lokal dhe ajo e Administratës. Haxhiu ka thënë se fuzionim do të ketë edhe te Ministria për Zhvillim Ekonomik.