Vetëvendosje ‘përforcohet’ me pleq, Kurti i pret me çaj e kafe

17:33 | 10 September 2019

Tri aderime të reja janë prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka prezantuar edhe tre emra të rinj që ju bashkuan partisë së tij.

Kurti përmes llogarisë së tij në ‘Facebook’, ka prezantuar, Agim Jahja Palloshka, Abdyl Zhaveli dhe Rexhep Elezaj. të tre veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare.

Agim Jahja Polloshka, ka kryer studimet në vitin 1959 në Zagreb deri në vitin 1961, ku pas demonstratave të mëdha studentore përjashtohet nga çdo e drejtë studimi në ish-Jugosllavi.

“Agim Jahja Polloshka, Abdyl Zhaveli dhe Rexhep Elezaj iu bashkëngjitën radhëve të Lëvizjes.

Agim Jahja Polloshka ka kryer shkollën e lartë medicinale në Beograd. Ka vazhduar studimet në vitin 1959 në Zagreb deri në vitin 1961, ku pas demonstratave të mëdha studentore përjashtohet nga çdo e drejtë studimi në ish-Jugosllavi. Në 1968, për arsye politike emigron familjarisht në Gjermani ku me shtysën e prof. Martin Camajt nis dhe deri më sot nuk ndalet, edhe pse 80 vjeç, të punojë si përkthyes për bashkatdhetarët atje”, ka shkruar Kurti.

Abdyl Zhaveli, në vitin 1989 ishte njëri ndër funksionarët e parë shqiptarë që shkarkohet nga posti qeveritar që mbante.

“Abdyl Zhaveli nga fillimi i viteve ’70 deri në vitin 1989 ka qenë mësues në Deçan, pastaj konsull në Selanik të Greqisë dhe më pas ndihmës në Sekretariatin për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të Kosovës. Në vitin 1989, është ndër funksionarët e parë shqiptarë që shkarkohet nga posti qeveritar që mbante. Pas shpalljes së Pavarësisë, nepotizmi ka vazhduar ta mbajë jashtë institucioneve të Republikës, përkundër përvojës dhe dijes së tij. Gjithsesi, Abdyli nuk vazhdon të jetë i gatshëm dhe i përkushtuar për t’ia kaluar përvojën e tij gjeneratave më të reja”.

Ndërsa, Rexhep Elezaj në periudhën 1995-2005, ka qenë i angazhuar si sekretar i përgjithshëm i asosacionit “Bashkimi i intelektualëve shqiptarë në Mërgim”

“Rexhep Elezaj ka mbaruar studimet universitare për gjuhë dhe letërsi Arabe në Universitetin e “Al-Azhar” në Kairo të Egjiptit. Në vitin 1991 emigron në Gjermani, ku në periudhën 1995-2005 angazhohet si sekretar i përgjithshëm i asosacionit “Bashkimi i intelektualëve shqiptarë në Mërgim” dhe po ashtu si gazetar bashkëpunëtor i shumë mediumeve në Kosovë, Gjermani e diasporë. Mes këtyre viteve, ka shkruar artikuj e reportazhe të shumtë me theks mbi angazhimin e mërgatës për pavarësinë e Kosovës. Aktivist i palodhshëm, intelektual përherë aktiv, z.Elezaj na nderon me përgatitjen e kontributin e tij dhe na forcon për sfidat e radhës”, ka përfunduar Kurti.

Komento: