Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka komentuar deklaratën e deputetit të PSD-së, Faton Topallit, i cili ka thënë se nuk e përjashtojnë mundësinë e koalicionit me VV-në.
Millaku ka thënë se koalicioni me Partinë Socialdemokrate as që vjen në shprehje.
“Faton Topalli këto qëndrime është dashtë me i mbajtë sa ka qenë në Vetëvendosje jo tash sa është në PSD. Këto qëndrime nuk vendosen individualisht, por qëndrimet sidomos për koalicione vendosen brenda strukturës së partisë”, ka thënë Millaku.
E pyetur për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor, Millaku i ka thënë Insajderit se sa i përket koalicionit me PSD-së, nuk vjen në shprehje.
“Përveç me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me subjektet e tjera nuk kemi diskutu”, ka shtuar deputetja Millaku.
E deputeti nga PSD, Faton Topalli, ka deklaruar se përpos PDK-së për të cilen kanë vija të kuqe, me VV-në apo partitë e tjera, nuk kanë vija të kuqe.