Vëzhguesit e BE-së të mërkurën vijnë në Kosovë

15:45 | 02 September 2019

Të mërkurën pritet të vijnë vëzhguesit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka mbajtur mbledhjen e rregullt.

Në këtë mbledhje ndër të tjera pikë e rendit të ditës ka qenë edhe marrëveshja administrative në mes të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe KQZ-së, për zgjedhjet e parakohshme, raporton lajmi.

Kjo marrëveshje nënkupton ardhjen e vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se kjo marrëveshje do të bëhet pas kërkesës së presidenti Hashim Thaçi, i ka bërë organeve të Bashkimit Evropian që në zgjedhjet e parakohshme të jetë i pranishëm edhe misioni vëzhgues i BE-së, ashtu siç ka qenë në zgjedhjet parlamentare të 201-ës dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2018.

Daka ka thënë se kjo marrëveshje do të nënshkruhet gjatë ditës së nesërme me përfaqësuesit e BE-së në Prishtinë dhe se kjo gjë u mbështet edhe nga anëtarët e KQZ-së, raporton më tutje lajmi.net.

Ajo po ashtu bëri të ditur se gjatë ditës së mërkurë pritet ardhshme e vëzhguesve të BE-së në Kosovë.

“Shqyrtimi dhe miratimi i marrëveshjes me Misionin Vëzhgues të Bashkimit Evropian, gjatë ditës së nesërme pritet të nënshkruhet marrëveshja me përfaqësuesit e BE-së në Prishtinë dhe do të fillojë ardhja e vëzhguesve nga e mërkura”, deklaroi Daka.

Theksojmë se javën e kaluar, Zyra e Bashkimit Evropian të Kosovës, në një përgjigje për lajmi.net, kishte theksuar se është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në zgjedhjet e parakohshme.

“Bashkimi Evropian ka ofruar përkrahjen e saj të rregullt ndaj procesit demokratik të Kosovës, duke e përfshirë kështu edhe misionin për vëzhgimin zgjedhor si dhe është i gatshëm ta bëjë këtë edhe në të ardhmen, kuptohet nëse një kërkesë e tillë paraqitet nga Presidenti apo autoritetet e Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Komento: