
Policia e Kosovës ka ndarë pamje nga operacioni “White Star”, ku pesë persona u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrimit të parave.
Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, bazuar në urdhrat e lëshuara nga Gjykata Themelore dhe nën monitorimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në lokacionet e bastisura, janë sekuestruar prova dhe pasuri të konsiderueshme, përfshirë gjashtë armë zjarri, pesë karikatorë, 239 fishekë, 9.67 gramë kokainë dhe 35.18 gramë fara të dyshuara të marihuanës.
Po ashtu, autoritetet kanë konfiskuar 7,595 euro para të gatshme, 25 telefona mobilë, 10 automjete, një motoçikletë, 10 kompjuterë, 13 USB, një DVR dhe 16 orë dore.
Ky operacioni është mbështetur nga Europol dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikë, Francë dhe Holandë. Përfaqësues të këtyre institucioneve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë monitoruar nga afër zhvillimin e operacionit.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin “White Star” janë duke vazhduar.