Video prekëse rikthen në kujtesë fjalët e Shpat Kasapit për të birin: Të rriteti shëndoshë dhe me prindër

10:14 | 01 Dhjetor 2025

Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka rikthyer emocione të forta tek fansat e Shpat Kasapit.

Në pamjet e realizuara disa vite më parë, në një intervistë televizive, këngëtari shfaqet duke folur me mall e dashuri për momentin kur do të bëhej baba i një djali, një dëshirë që e rrëfente me buzëqeshje dhe shumë emocion.

Në video, moderatori e uron që fëmija të vijë në jetë i shëndoshë, ndërsa Shpati, me qetësinë dhe sinqeritetin që e karakterizonte, përgjigjet: “Ajo është më e rëndësishmja, të vijë në jetë i shëndoshë, të rritet me prindër të shëndoshë, të rritet në ambient të shëndoshë, në familje të shëndoshë”.

Në një moment tjetër, kur ai pyetet simbolikisht se çfarë ka brenda zemrës, Kasapi përgjigjet duke buzëqeshur: “Shkronja S”, një dedikim i qartë për bashkëshorten e tij, Selvijen, me të cilën kishte një lidhje të fortë dhe të përkushtuar.

Videoja është shpërndarë gjerësisht si një kujtim i çmuar për artistin, i cili u nda papritur nga jeta pas një sulmi në zemër, duke lënë pas një boshllëk të madh te familjarët, kolegët dhe mijëra fansat që e ndoqën për vite me radhë.

Shpati u varros të dielën në Tetovë, pas një ceremonie mortore të mbajtur mes dhimbjes së thellë dhe kujtimeve të shumta.

Familjarët, miqtë dhe kolegët e tij u shfaqën të përlotur, duke e kujtuar si një njeri të mirë, të qetë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.

Kujtimet e tij, fjalët e buta dhe dashuria që shprehte për familjen vazhdojnë të prekin zemrat e publikut, teksa rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për këngëtarin që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.

Komento: