Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar sot në Kuvend lidhur me videon e kryeministrit Albin Kurti, ku flet për ish politikanin e vrarë Oliver Ivanoviq.
Konjufca tha se mendimi i tij dhe i kryeministrit për Ivanoviqin është i njëjtë dhe se ai është kriminel.
“Mendimi im edhe i kryeministrit për Ivanoviqin është i njëjti, ai që ka qenë gjithmonë. Asgjë nuk mund ta ndryshojë biografinë politike të tij, në të gjitha dëmet që i janë shkaktuar popullit tonë është evidente. Dhe për këtë ai është dënuar”, u shpreh Konjufca, raporton Telegrafi.
Kryeparlamentari tha se atë e kanë quajtur haptas me emrin që i përket një njeriu që përbën veprime të tilla dhe ai është dënuar dhe kualifikuar me kategorinë e kriminelit.
“Ky është edhe mendimi jonë. Po po, kriminel, pa kurrfarë dyshimi. Tash asgjë nuk mund t’i heq kësaj që e ka vendosur gjyqësia e Kosovës, me sa e di unë… Ne e kemi thënë më përpara se sa ta vendoste gjyqësia këtë çështje. Nuk po kuptoj pse po humbim kohë për këtë”, ka thënë Konjufca para deputetëve të enjten.
E pas Konjufcës, reagoi shefi i Grupit parlamentari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
“Unë pajtohem me deklarimin tuaj, por problemi është se në videon e publikuar nga kryeministri i vendit”, u shpreh Gashi, duke shtuar se Kurti në video e tij të publikuar thotë se ‘Oliver Ivanoviq luftoi për qytetin e tij’.
Sipas Gashit, lufta e Ivanoviqit për qytetin e tij është maskara e shqiptarëve.
“Edhe pasojat e luftës së Ivanoviqit për qytetin e tij është maskara ndaj shqiptarëve për të cilën është dënuar 9 vjet”, tha më tej deputeti i LDK-së.
E lidhur me këtë sërish foli Konjufca, duke thënë se Ivanoviqi ishte udhëheqës i të ashtuquajturës “Rojat e urës”, të cilët ishin strukturë kriminale.
“Mendimi im është se kryeministri vetëm ka dashur të thotë se ai njeri është vrarë prej Aleksansar Vuçiqit…”, tha kryeparlamentari.