
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzohet se përmes projektit të ndërtimit të një qendre biznesi të lidhur me familjen Trump, në vendin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të JNA-së, u përpoq ta përfshinte presidentin e Shteteve të Bashkuara në një skandal të madh korruptiv, përmes shkeljeve serioze ligjore dhe manovrave institucionale.
Sipas raportimit të mediumit Vijesti, familja Trump e ka kuptuar këtë, të cilësuar si kurth skandaloz, dhe është tërhequr nga projekti në kohë.
“Pa hyrë në shkeljen konkrete të ligjit për të cilën Prokuroria e Serbisë ka ngritur tashmë një aktakuzë, aspekti gjeopolitik dhe ekonomik është shumë i rëndësishëm, ashtu si edhe dëmi që establishmenti i Vuçiçit i ka shkaktuar Serbisë. Para së gjithash, ai u përpoq të mashtronte një investitor shumë të rëndësishëm në një projekt që, siç ka deklaruar vetë Vuçiç, do t’i sillte Serbisë 1.5 miliardë euro”, shkruan Vijesti.
Sipas mediumit, kjo shumë përfaqëson një investim shumë të madh sipas standardeve botërore, e veçanërisht për Serbinë. Dështimi i projektit, thuhet më tej, ka dërguar një mesazh negativ për investitorët e tjerë dhe për qytetarët e Serbisë, duke e paraqitur vendin si një partner të pasigurt për zhvillim ekonomik. Në këtë kontekst përmendet edhe rritja e konvertimit të dinarit serb në euro, për shkak të mungesës së besimit të qytetarëve në monedhën vendase.
Vijesti thekson gjithashtu se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë komplekse, me një përçarje të thellë mes qëndrimeve të shumicës së popullsisë dhe politikave të regjimit aktual. Sipas këtij vlerësimi, Vuçiç po përballet me pasojat e politikave të tij shumëvjeçare, pasi për gati tri dekada ka ndikuar në krijimin e një opinioni negativ publik ndaj Perëndimit, veçanërisht ndaj SHBA-së.
Vetë Vuçiç kishte deklaruar se projekti do t’i sillte Serbisë rreth 1.5 miliardë euro investime, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit. Analistët vlerësojnë se dështimi i tij ka dëmtuar imazhin e Serbisë si destinacion i sigurt për investime të huaja dhe ka rritur pasigurinë ekonomike te qytetarët.
Në të njëjtën kohë, Serbia po përballet me sanksione ndaj Industrisë Serbe të Naftës, krizë energjetike, protesta të vazhdueshme dhe përplasje mes policisë dhe demonstruesve. Në këtë kontekst, vihet në dukje edhe fakti se Vuçiç nuk mori pjesë në takimin e paralajmëruar me liderët evropianë në Bruksel.
Sipas raportimeve, mungesa e tij lidhet me vlerësimet se Serbia ka shënuar regres në fushat e lirisë së shprehjes, sistemit ligjor dhe sigurisë së përgjithshme ekonomike.