Viola von Cramon: Kosova duhet të reformohet në një numër fushash, i duhet një qeveri e qëndrueshme

19:25 | 21 Janar 2021

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar Qeverinë Hoti ka shkaktuar paqëndrueshmëri në vend.

Kështu ka vlerësuar Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke folur për këtë vendim dhe shpalljen e pavlefshme të votës së ish deputetit Etem Arifi.

Von Cramon ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 shkurtit pret që të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet, pavarësisht asaj se a është vendimi në vetvete i mirë apo i keq politikisht për ndonjë nga partitë. Sigurisht, kjo shkakton edhe më shumë paqëndrueshmëri, por çështja është tani se çfarë vjen më pas, për fat të keq, nuk është e qartë nëse paqëndrueshmëria e kahershme mund të zgjidhet”, ka thënë ajo.

Von Cramon ka thënë se shpreson që pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje të jetë e lartë.

“Këto janë kohëra të jashtëzakonshme. Do të jetë sigurisht shumë e vështirë të organizohen zgjedhje në mes të pandemisë dhe fatkeqësisht tani nuk do të ketë asnjë mision të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve nga BE. Shpresoj që edhe në këto rrethana do të ketë një pjesëmarrje të lartë të votuesve dhe shpresoj që zgjedhjet të jenë në një mjedis të drejtë dhe të lirë, pa frikësim të votuesve ose ndonjë problem tjetër. Sigurisht që nuk ndihmon. Por nuk ka të bëjë vetëm me integrimin evropian. Bëhet fjalë për mënyrën e qeverisjes së Kosovës, pavarësisht se çfarë thotë BE-ja. Kosova duhet të reformohet në një numër fushash, ka probleme serioze dhe i duhet një qeveri e qëndrueshme për të zhvilluar programe, për të dërguar ligje në një Kuvend funksional, dhe pastaj duhet t’i implementojnë ato reforma”, theksoi ajo për klan Kosova.

Komento: