Visar Azemi: Qeverisja e Agim Aliut ka ngecur në disa projekte shkaku i kontratave kolektive të pa menaxhuara

22:08 | 23 October 2024
visar-azemi:-qeverisja-e-agim-aliut-ka-ngecur-ne-disa-projekte-shkaku-i-kontratave-kolektive-te-pa-menaxhuara

Kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se tre vjet të qeverisjes së Agim Aliut në krye të Komunës, ka rezultuar me dështime e ngecje në projekte kapitale.

Ndërkaq,  ditë më parë kryetari i Komunës së Ferizaj Agim Aliu pati folur lidhur me zhvillimin dhe transformimin e qytetit të Ferizajt, duke e cilësuar atë si një nga qytetet evropiane për shkak të realizimit të dhjetëra projekteve kapitale.

Por, Azemi i LDK-së ka bërë me dije se ka një kohë që po i analizojnë të gjitha veprimet, vendimet dhe punët e kryetarit Aliu

“Realisht atë që po e analizojmë, po shohim dhe çka po prekim si telashe, andaj ato janë të shumta. E dimë që Komuna e Ferizajt është në një ngërç të madh për shkak të borxheve të mëdha, të cilat është obliguar t’i paguajë dhe si rezultat i këtyre borxheve sot Komuna e Ferizajt ka gjashtë milionë euro borxhe, andaj kjo i bie se gjashtë milionë euro më pak në buxhetin e saj si pasojë e kontratave kolektive, të cilat janë duke u zbatuar me anë të përmbaruesve”, ka thënë Azemi.

Sipas Azemit telashe të tjera të natyrës së njëjtë kemi pasur përgjatë tri viteve, ku diku rreth 15 milionë euro, nga buxheti i komunës janë marrë me anë të përmbarimeve.

“Nga këto 15 milionë euro të cilat kanë shkuar tek operatorët ekonomikë për shkak të vonesave të ndryshme nga qeverisja aktuale, i kemi shtesë afro dy milionë euro, të cilat janë shpenzime përmbarimore dhe shpenzimet e gjykatave. Pra, sot qytetarët e Ferizajt nuk i kanë në buxhetin e tyre dy milionë euro gjatë tri viteve të fundit që janë dhënë tek përmbaruesit dhe tek gjykatat e Kosovës për shkak të vonesave dhe keqmenaxhimit e keqplanifikimeve në pagesat të cilat është detyruar t’i paguajë Komuna e Ferizajt. Pra, ato mjete nuk qëndrojnë më të cilat kanë pasur mundësi të investoheshin qoftë në shkolla, qoftë në çerdhe, qoftë në parqe, qoftë në plot gjëra të cilat edhe kryetari Aliu i kishte premtuar dhe nuk i ka realizu”, ka thënë më tej Azemi.

Sipas Azemit, në Kosovë ekziston edhe një letërnjoftim i komunave nga instituti GAP për të cilin thotë se kanë debatuar disa herë, por së fundmi është bërë edhe një rikapitulim i asaj derisa nga 69 të premtimeve elektorale të kryetarit Aliu, vetëm 29 prej tyre janë përmbushur.

“Edhe nga këto 29 të cilat i kemi analizuar secilin veç e veç, dalin që edhe aty kemi probleme dhe nuk kemi përmbushje të plotë të atyre premtimeve. Mos flas pastaj për pjesën tjetër, që është më shumë se gjysma të cilat nuk janë plotësuar, nuk janë filluar, ose kanë mbetur në gjysmë. Komuna e Ferizajt e ka më të pamundur të realizojë projekte të tjera për shkak të mungesës së këtyre gjashtë milionë eurove, të cilat janë marrë nga përmbaruesi për kontratën kolektive dhe nuk e di se çfarë mund të bëjë kryetari Aliu në këtë aspekt. Nga këto mosrealizime të projekteve ka shumë premtime, por kanë probleme, mirëpo qytetarët mezi po presin që t’i shohin realizimet e atyre projekteve”, ka bërë me dije Azemi.

Po ashtu Azemi, ka sqaruar se shtëpisë së pleqve u është marrë prona për ndërtimin e nënkalimit, por që objekti i tyre më nuk është ndërtuar nga komuna, pastaj ka pasur edhe premtime për ndërtim të parqeve, por që nuk janë realizuar.

“Nga ato projekte që janë realizuar, tashmë janë demoluar siç është tregu i kafshëve, tregu i gjelbër e të tjera. Ndërkaq, në këtë qeverisje sot i kemi njerëzit nën akuza, pra nga kryesuesi i kuvendit, nënkryetari i komunës dhe zyrtarja e lartë e prokurimit, që të gjithë këta janë nën akuza për gjëra të ndryshme dhe veprime të cilat ata i kanë bërë”, ka thënë Azemi.

Azemi po ashtu ka folur edhe për disa projekte infrastrukturore që sipas tij pas kohë pas realizimit të tyre janë degraduar shkaku i cilësisë së dobët, ndërkaq, kritika ka thënë edhe për degradimin e magjistrales Ferizaj-Prishtinë.

“Janë edhe telashet e natyrës së hedhjes së fajit nga komuna e Ferizajt tek qeveria, nga qeveria tek komuna, siç është për shembull rruga regjionale Ferizaj-Prishtinë por edhe ndërtimi i objektit të spitalit. Sot, akoma në qytetin tonë nuk e kemi një spital, i cili do t’i ofronte qytetarëve shërbimet e rasteve emergjente, jo emergjente, spitalore e hospitalore”, ka shtuar Azemi.

Komento: