Visar Krasniqi emërohet kryesues i Komisionit për Çështje Normative në KPK

16:25 | 19 Mars 2026
visar-krasniqi-emerohet-kryesues-i-komisionit-per-ceshtje-normative-ne-kpk

Anëtari joprokuror nga shoqëria civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Visar Krasniqi, është zgjedhur kryesues i Komisionit për Çështje Normative.

Vendimi është marrë të enjten gjatë mbledhjes së 290-të të KPK-së, ku është diskutuar dhe miratuar themelimi i tri komisioneve të përhershme të këtij institucioni. Anëtarë të Komisionit për Çështje Normative janë votuar Veton Shabani, Naim Abazi, Bahri Hyseni dhe Valdrin Krasniqi.

Në të njëjtën mbledhje, e udhëhequr nga kryesuesi Arian Gashi, KPK ka shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin institucional të sistemit prokurorial. Mes tyre, janë miratuar disa rregullore të rëndësishme që lidhen me organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit, administratën dhe menaxhimin financiar, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë.

Po ashtu, Këshilli ka themeluar edhe komisione të tjera të përhershme. Elza Bajrami-Kastrati është caktuar kryetare e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, ndërsa Dardan Vuniqi kryetar i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive.

Në kuadër të vendimeve të tjera, KPK ka miratuar zgjatjen e transferimit të përkohshëm të dy prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, si dhe ka emëruar Visar Krasniqin edhe si anëtar në Komisionin e Ankesave për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Gjithashtu, Këshilli ka caktuar prokurorin Arianit Salihu në pozitën e zëvendëskryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me mandat katërvjeçar. Në këtë mbledhje janë trajtuar edhe çështje të tjera administrative, përfshirë një shkresë të Avokatit të Popullit lidhur me një konkurs të mëhershëm të KPK-së.

Komento: