Visar Ymeri: Statuti i Asociacionit ka më shumë se një vit që kërkohet nga ndërkombëtarët, por u refuzua në mënyrë të papërgjegjshme nga Kurti

17:03 | 16 Maj 2024
visar-ymeri:-statuti-i-asociacionit-ka-me-shume-se-nje-vit-qe-kerkohet-nga-nderkombetaret,-por-u-refuzua-ne-menyre-te-papergjegjshme-nga-kurti

Letra e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla se Kosova po e përgatit draft-statutin e Asociacionit për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ka sjellë reagime të shumta në Kosovë.

Ish-bashkë partiaku i kryeministrit Albin Kurti, Visar Ymeri, e ka kritikuar vendimin e ekzekutivit.

Ai e ka cilësuar si të vonshëm dhe pa efekt.

Statutin e Asociacionit ka më shumë se një vit që është kërkuar, por u refuzua në mënyrë të papërgjegjshme nga Kurti, thotë Ymeri.

“Vendim tejet i vonuar dhe po duket i pa efektshëm. Ka më shumë se një vit që kur partnerët tanë ndërkombëtar kanë kërkuar nga Kurti dhe Qeveria ta shkruajë statutin e Asociacionit, kërkesë kjo e cila ishte refuzuar në mënyrën me të papërgjegjshme e më të pakuptimtë nga Kurti”, deklaroi Ymeri për Front Online.

Ymeri nuk pret që ky vendim t’i bind aleatët për ta ndryshuar qëndrimin për anëtarësim.

Letrën e dërguar tek Këshilli i Evropës nga Qeveria, Ymeri e vlerëson si kthesë të papritur nga kryeministri.

 “Që prej se ka dal raporti i znj. Bakoyannis Kosova e ka ditur që kjo kërkesë e hapave kredibil drejt themelimit të Asociacionit do të kërkohen para anëtarësimit në KiE. Edhe kjo kërkesë është refuzuar madje edhe përmes gjuhës së ofendimit duke e cilësuar si kërkesë absurde nga Kurti. Dhe tash kemi një kthesë të papritur e cila vështirë se i bind vendet tona mike për ta ndryshuar qëndrimin e tyre të deritashëm për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, u shpreh Ymeri.

Ish-kryetari i VV-së thotë se pa vullnetin e tri shteteve të rëndësishme, Kosova nuk anëtarësohet në KiE.

“Pa vullnetin e Gjermanisë, Francës, Italisë, si vende të mëdha e të rëndësishme të Këshillit të Evropës, Kosova nuk mund të bëhet anëtare e këtij forumi jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne”, përfundoi Ymeri për Front Online.

Pas, njoftimit të Gërvallës kanë reaguar nga presidenca e Kosovës, ka kanë deklaruar se veprimi i bërë nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga MPJD rreth draft-statutit të Asociacionit dhe çështjes së Këshillit të Evropës, nuk është konstultuar e as dakorduar me presidenten Vjosa Osmani./FrontOnline

Komento: