Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, të mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë publikuar raportin “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë.”
Ky raport analizon të dhënat e punësimit dhe përfaqësimit të grave në 16 ndërmarrje publike qendrore, në pozita drejtuese dhe të larta në këto ndërmarrje, si dhe në administratë dhe terren.
“Në vitin 2023, këto ndërmarrje së bashku punësonin 12,278 persona. Në terma të përgjithshëm, 22% e të gjithë të punësuarve në ndërmarrjet publike janë pjesë e administratës dhe menaxhmentit, derisa 78% janë pjesë e punëve në terren. Viteve të fundit, vërehet një trend më pozitiv veçmas në përfaqësimin e grave në bordet e ndërmarrjeve, por edhe pozitat e larta menaxheriale. Konkretisht, në dhjetor të vitit 2024, në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara, mbi 40% e anëtarëve të bordeve janë gra, ku në rastin e Telekomit (80%), KRU Mitrovicës (60%), Postës së Kosovës (50%) dhe KRU Radoniqit (50%) kjo shifër arrin në 50% ose më lart. Konkretisht, në periudhën 2021-2023 bordet tek ndërmarrja Trepça, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (2021), Trainkos (2021), KRU Drini i Bardhë përbëheshin vetëm nga burra, duke krijuar një pabarazi të theksuar, kurse në dhjetor të vitit 2024 ky raport në shumicën nga to është 60% burra dhe 40% gra”, thuhet në kumtesë.
Aty tutje theksohet se përfaqësimi i grave në menaxhmentin e lartë mbetet relativisht i ulët.
“Ndërkaq, përfaqësimi i grave në menaxhmentin e lartë mbetet relativisht i ulët. Ndonëse, gjatë vitit 2023 dallohet një zhvillim pozitiv, ku përqindja e grave që mbajnë pozita të tilla në këto 16 ndërmarrje publike është rritur nga 21% në 26%. Kurse, në administratë, 31% e të punësuarve në këto ndërmarrje publike janë gra, ndërsa 69% burra. Ndërkaq, një dallim më i madh mbetet tek të punësuarit në terren apo prodhim tek këto ndërmarrje, ku 96% e të punësuarve janë burra, ndërsa vetëm 4% gra”.
Sipas raportit, në periudhën 2021-2023, kishte një rënie në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në këto ndërmarrje publike, ku në vitin 2023 ka rreth 8.8% më pak punonjës se në vitin 2021.
“Në periudhën 2021-2023, vërehet një rënie në numrin e përgjithshëm të të punësuarve në këto ndërmarrje publike, ku në vitin 2023 ka rreth 8.8% më pak punonjës se në vitin 2021. Telekomi i Kosovës ka rreth 488 punëtorë më pak (-21.2%), Trepça 290 (-19.6%), KEK-u 146 (-3.9%), etj. Faktorët që kanë ndikuar në uljen e numrit të punëtorëve janë mosha e shtyer, pakot e daljes vullnetare nga puna të adoptuara nga disa ndërmarrje, si dhe riorganizimi ose sistematizimi i vendeve të punës. Për nga aspekti i rritjes së numrit të punëtorëve, vetëm KRU Prishtina ka një rritje më përmbajtësore (+11.9%), me 65 punëtorë më shumë në vitin 2023 se në 2022”.