
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje invalidëve të luftës, përfshirë ushtarët dhe invalidët civilë, që të aplikojnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për mbulimin e shpenzimeve të protezave.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Vitia ka thënë se secila kërkesë duhet të trajtohet nga institucionet përgjegjëse, ndërsa ka siguruar se procesi tashmë është institucionalizuar.
“Më lejoni që të bëj thirrje për secilin invalid të luftës, qoftë si ushtar apo invalid civil, që të bëjnë kërkesë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe ju garantoj se secila lëndë duhet të trajtohet”, ka deklaruar Vitia.
Ai i është drejtuar edhe personit që ka përmendur deputetja Teuta Haxhiu, duke e ftuar që të aplikojë për përfitimin e mbulimit të protezës dhe të kontaktojë kabinetin e ministrit në rast të ndonjë vështirësie gjatë procedurave.
Ministri ka shpjeguar se deri në vitin 2024, mbulimi i shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës bëhej në mënyrë jo të institucionalizuar dhe varej nga vendimet e qeverive për ndarjen e fondeve.
“Për këtë arsye e kemi bërë një sistem ku e kemi institucionalizuar këtë proces dhe tani asnjë invalid i luftës nuk ka shanse të mos i përgjigjet me financim të plotë”, ka thënë Vitia.
Në fund, ai ka falënderuar organizatat e dala nga lufta për bashkëpunimin në këtë çështje.
Deklarata e ministrit vjen pas debatit në Kuvend për mosmbështetjen e ndarjes së një milion eurove për protezat e invalidëve të luftës në Komisionin për Buxhet.