Vitia jep detaje për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

12:50 | 19 Mars 2026
vitia-jep-detaje-per-nenshkrimin-e-kontrates-per-ndertimin-e-spitalit-te-ferizajt

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se është konfirmuar rasti i parë i shtatzënisë përmes procedurës së frytnimit të asistuar mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për sistemin publik shëndetësor.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ai tha se ky shërbim tashmë ka filluar të ofrohet për çiftet dhe gratë në vend, ndërsa rasti i konfirmuar i shtatzënisë përbën një lajm të mirë për qytetarët që për vite me radhë kanë shpenzuar mjete të mëdha financiare për trajtime të tilla jashtë institucioneve publike.

“Është një lajm i mirë që është rasti i parë i konfirmuar i shtatzënisë me procedurën e frytnimit të asistuar mjekësor në klinikën tonë të gjinekologjisë. Një hap i vogël, por një ndërmarrje e madhe disavjeçare tashmë nga Ministria e Shëndetësisë e sidomos nga profesionistët shëndetësorë në klinikën e gjinekologjisë. Dhe tani më në fund ky shërbim, përveç që ka filluar të jepet më herët për çiftet dhe gratë tona, kemi një rast të konfirmuar që është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët të cilët për shumë vite me radhë kanë shpenzuar mijëra euro në këto procedura jashtë institucioneve publike”, tha ai.

“Po ashtu patëm rastin të shohim se një investim të jashtëzakonshëm në institutet paraklinike, duke filluar nga Instituti i Patologjisë, gjë që do të dërgojë në një nivel tjetër të diagnostikimit sa i përket procedurave histopatologjike, e sidomos procedurat e diagnostikimit sa i përket target-terapisë në pjesën onkologjike, që do të ndihmojë shumë në shërimin e pacientëve nga kanceri, por në anën tjetër do të kursejë shumë edhe për buxhetin e shtetit edhe për buxhetin e qytetarëve në raport me terapinë, sepse tani do të kemi mundësi pas një kohe të shkurtër të bëjmë edhe analiza të tilla molekulare duke bërë target-terapi në mënyrë që secili bar që ka ndikim në sëmundje të caktuara të jepet dhe mos të shkohet me barna të cilat nuk kanë ndikim”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Vitia njoftoi gjithashtu se është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt, pas disa viteve sfidash ligjore, teknike dhe logjistike, ndërsa theksoi se projekti pritet të përfundojë brenda 30 muajve.

“Po ashtu një lajm tjetër i mirë ishte se pas disa viteve sfidash, telasheve ligjore dhe logjistike, telasheve teknike, ndërtimore e çka jo tjetër, pas tejkalimit të gjithë kësaj situate, u nënshkrua kontrata për spitalin e Ferizajt dhe brenda 30 muajsh qytetarët e Ferizajt do të bëhen me spitalin e shumëpritur tashmë, një spital modern me të gjitha kushtet, kushtet në vlerë prej 24 milionë euro. Një spital i cili do t’i ofrojë të gjithë banorëve të atij rajoni, por përfshirë edhe komunat rreth siç janë Kaçaniku, Hani i Elezit dhe jo vetëm, trajtime, shërbime shumë cilësore, ndoshta edhe më cilësoret kur të përfundojë në vend në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Komento: