Vitia: Për herë të parë procedura e re kirurgjike VATS në sistemin publik

18:24 | 25 Janar 2024
vitia:-per-here-te-pare-procedura-e-re-kirurgjike-vats-ne-sistemin-publik

Arben Vitia, Ministri i Shëndetësisë ka bërë të ditur se për herë të parë në sistemin publik ka ardhur procedura e re kirurgjike VATS.

Vitia, ka thënë se VATS është procedurë kirurgjike mini-invazive, aktualisht është metoda që po zë vend kudo në intervenime ngase siguron cilësi në ndërhyrjet operative.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ky shërbim i ri do të bëhet së bashku me drejtorin e SHSKUK, Elvir Azizin dhe se janë pritur sot nga Drejtori i klinikës së kirurgjisë torakale Dr. Nazmi Kolgeci.

Vitia u shpreh se shërbimet do të kryhen brenda vendit, e jo më jashtë vendit.

“Më herët rastet e pacientëve janë dërguar jashtë vendit. Tani e tutje ato do të kryhen brenda sistemit tonë. Trajtim jashtë vendit dhe kostoja për këtë trajtim është 35 mijë euro”, shkroi ai.

Ai tha se vlera e këtij investimi është rreth 250.000 euro, e përveç kësaj ai theksoi se shpenzimet vjetore më herët jashtë vendit kanë qenë 700mijë euro.

“Falënderova stafin për përkushtimin dhe efikasitetin e treguar. Në veçanti Dr. Xhevdet Ademaj, mjek në Gjermani me mbështetjen që po jep në shërbim të kësaj procedure. Shërbimet e reja me pajisje bashkëkohore do të vijojnë për sistemin publik”, ka shkruar Vitia.

Komento: