Vitia: thotë se negociatat për sigurimin e vaksinave po vazhdojnë dhe janë në rrugën e duhur

20:10 | 18 Prill 2021

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas mbledhjes së Qeverisë ka mbajtur një konferencë për media, nga ku edhe ka folur për sigurimin e vaksinave antiCOVID.

Vitia ka thënë se negociatat me kompanitë prodhuese të vaksinave po vazhdojnë dhe janë në rrugën e duhur, duke shtuar se nga edhe procesi i vaksinimit po vazhdon dhe se nga muaji maj do të intensifikohet me arritjen e vaksinave të reja. Duke shtuar se situata para 7 prillit ka qenë dhe mbetet e papranueshme.

Duke folur për masat antiCOVID, Vitia ka shtuar se masat para 11 ditësh janë në kuadër të një qasje të re që vepron në përputhje me parandalimin e virusit. Derisa ka akuzuar ish-Qeverinë Hoti se ka injoruar prezencën e virusit.

“Fatkeqësisht realiteti i krijuar në këto 10 muaj që lamë pas ishte injorimi i prezencës së virusit dhe kjo qasje ka sjellë në gjendjen që jemi sot e ne po mundohemi ta vëmë në kontroll, duke pasur prioritet shëndetin. Duke u bazuar në disa faktor, ne kemi marrë vendim që të heqim kufizimet e vendosura para 11 ditëve. Po heqim pjesërisht kufizimet por po shtojmë udhëzimet. Nëse nuk respektohen atëherë jemi të detyruar t’i kthejmë kufizimet”, ka thënë ai.

Vitia ka thënë se janë duke negociuar me kompanitë e vaksinave të aprovuara për të siguruar ato.

“Tema e vaksinave është e ndjeshme dhe informatat e pa verifikuara mund ta dëmtojnë vendin. Jemi përfshirë në një diskutim publik i cili është i kufizuar nga një nivel i konfidencialitetit e që nuk është i përcaktuar nga ne. Shkelja e këtij konfidencialitetit rrezikon negociatat prandaj kërkojmë durimin e besimin tuaj. Ajo që mund të garantojë është që ekipi negociues për sigurimin e vaksinave është profesional”, ka thënë ai.

Ministri i Shëndetësisë, tutje tha se nuk mund të japë detaje të negociatave dhe informatat e publikuara nuk janë të plota.

Komento: