Viva Fresh nuk respekton vendimin e Qeverisë, shet produkte me mbishkrimin ‘Kosovo i Metohija’

16:44 | 25 Janar 2019

Rrjeti i dyqaneve ushqimorë, ‘Viva Fresh Store’ nuk po e respekton vendimin e Qeverisë për bojkotimin e të gjitha produkteve me origjinë serbe apo boshnjake.

Në një video të siguruar nga ORAinfo shihet se si furnitori kosovar, ‘Viva Fresh Store’ ka improvizuar një ngjitëse mbi përshkrimin zyrtar të distributorit, me mundësinë për ta fshehur këtë mbishkrim problematik.

Një mall i tillë po shitet në të gjitha marketët e ‘Viva Fresh Store’.

ORAinfo ka dërguar pyetje në adresë të kësaj kompanie, por nuk ka marrë përgjigje.

Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj ka vendosur që produktet që si destinacion kanë të shkruar “Kosova i Metohija” të mos pranohen në territorin e Kosovës, përcjell ORAinfo.

Një vendim i tillë është nxitur pas politikave neglizhuese të Serbisë ndaj pranimit të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran dhe lobimit që po bën shteti serb tek vendet që e kanë njohur Kosovën që ta tërheqin njohjen. /ORAinfo/

Komento: