Vizita e Xhelal Sveçlës në veri iu kushton me suspendim tre policëve të NJRSH-së

22:08 | 18 October 2024
vizita-e-xhelal-svecles-ne-veri-iu-kushton-me-suspendim-tre-policeve-te-njrsh-se

Njësitë e veçantë të Policisë, përveç që po e luftojnë krimin gjithandej Kosovës, po e mbrojnë sovranitetin edhe në pjesën veriore. Për këtë, pushtetarët nuk harrojnë të krenohen kurdo që veriu përmendet dhe në të gjitha këto raste me aksionet e suksesshme të Policisë. Por, e kundërta ndodhi sot. Një vizitë e ministrit Xhelal Sveçla në atë pjesë, iu kushtoi tre policëve me suspendim, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Tre zyrtarë policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejt (emra të njohur për redaksinë) që po ruajnë rendin dhe po mbrojnë ligjin në pjesën veriore të Kosovës, në orar 24-orësh në asistencë, u suspenduan sot pas vizitës së Sveçlës.

Siç merr vesh Sinjali, një vizitë e pakonfirmuar e ministrit te komuna paralele në Mitrovicë të Veriut, pasoi me masën e suspendimit ndaj këtyre tre policëve të njësisë së veçantë që po ruanin objektin 3 katësh.

Derisa zyrtarët policorë ishin në krye të  detyrës zyrtare, duke kontrolluar e siguruar gjithë objektin, atje sot gjatë ditës shkoi Sveçla – i cili nuk paralajmëroi vizitën atje, thonë tutje të njëjtat burime.

Sipas informacioneve të para, pikërisht në atë kohë, derisa policët ndodheshin brenda, ka arritur Sveçla – që siç duket ka pritur që policët të jenë para objektit, por derisa këta të fundit po kryenin kontrolle – vonesa disa minutëshe për t’i dalë përpara Sveçlës u kushtoi.

Pasi ministri u largua nga aty, Gazeta Sinjali mëson se nuk shkuan më shumë se 4-5 orë dhe u mor vendimi për suspendimin e tre policëve.

Për t’i konfirmuar këto informacione, Sinjali ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por akoma s’ka marrë asnjë përgjigje.

 

Komento: