Vizita në veri përplas kabinetin e Osmanit me PDK-në: Jeni në linjë me Listën Serbe

23:00 | 30 January 2021

Kabineti i Vjosa Osmanit përplasen me PDK-në rreth vizitës në Veri.

Faton Peci, këshilltar politik i ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmanit, i ka kundër reaguar Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt ky i cili i reagoi Osmanit e kreut të VV’së për vizitën në Mitrovicë të Veriut.

Peci, me anë të ‘Facebook’-ut, ka thënë se reagimi i PDK’së i ngjason atij të Listës Serbe, kurse ka akuzuar edhe ish-kreun e këtij subjekti për, siç e quan ai, pazare për territor të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Reagimi i PDK-së, pos që është në linjë me atë të Listës Serbe, është poashtu pranim i dështimit për mos ushtrim të autoritetit të të gjitha qeverive të saj, prej 20-vjetësh në veri të vendit. Madje, ky subjekt nëpërmjet njeriut të vet, ish-presidentit Thaçi le që dështoi të vendos autoritet në këtë pjesë, por e vuri tërësinë territoriale të Kosovës në pazar”, deklaroi kandidati për deputet në listën e Vetëvendosjes.

Ai tutje paralajmëroi edhe për një vizitë tjetër në Veri të Mitrovicës, për, siç thotë ai, vendosje të sundimit dhe rendit të ligjit. Peci insistoi, sikurse zyrtarë të VV’së, se vizita në Veri është mbyllur si e plotë.

PDK, në reagimin e tyre zyrtar, kanë thënë se Kosova ka nevojë për liderë të fuqishëm “që nuk shkojnë në pjesën veriore për një fotografi në kohë zgjedhjesh siç bën Kurti e Osmani”.

“Duke abuzuar të gjithë infrastrukturën shtetërore dhe privilegjet e institucionit të presidentit, Albin Kurti i shoqëruar nga asistentja e tij politike, Vjosa Osmani, nëpërkëmbën dhe poshtëruan Republikën e Kosovës dhe rendin kushtetues të saj”, deklarohej ndër të tjera në reagimin zyrtar të partisë.

Osmani dhe Kurti nuk u lejuan përgjatë ditës së sotme ta vazhdojnë fushatën në Mitrovicën e Veriut, pasi një grup personash me përkatësi serbe filluan fishkëllima dhe brohoritje nacionaliste në drejtim të dy presoanve që po synojnë poste të rëndësishme të vendit.

Komento: