Pas gati një viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për një prej skandaleve më të mëdha që ka ndodhur në vend. Aktakuza është ngritur ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të cilët dyshohen për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Por, cilat janë veprat për të cilat po akuzohen ata?
Sipas njoftimit të Speciales, Gruda akuzohet për katër vepra penale. Ish-zyrtari i Thesarit akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpërlarje e parasë”.
“I pandehuri L.G., akuzohet për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i KPRK-së, ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327 të KPRK – së, ‘’Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ nga neni 336 të KPRK- së, si dhe ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin K.SH”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Kadri Shala akuzohet për tri vepra penale. Ndaj Shalës është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale “‘Shpëlarje e parasë’’, “Ndihma” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
“…ndaj të pandehurit me inicialet K.SH., është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale ‘’Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin L.G, dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ nga neni 33 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, në ndërlidhje me veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së”, ka njoftuar Specialja.
Me kryerjen e këtyre veprave, Gruda dhe Shala akyzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro.
Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.