Gjykata Themelore e Ferizajt ka zbuluar rrethana të reja nga grabitja që u krye të mërkurën në Shtime, në një komunikatë për media të lëshuar të shtunën.
Gjykata, në njoftimin për aprovimin e kërkesës së Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së mbajtjes ndaj të pandehurve A.T. dhe A.M., ka njoftuar po ashtu se si dy të dyshuarit ishin takuar në Prishtinë para se të niseshin drejt Shtimes, të mërkurën në mëngjes.
“Të pandehurit dyshohen se më 7 gusht 2019, në Shtime, duke vepruar si anëtarë të grupit së bashku me A.T.1. (i cili gjendet në arrati), me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme të personit tjetër, e që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, kanë kryer grabitje në dëme të të dëmtuarit N.N., në atë mënyrë që fillimisht të pandehurit janë takuar në Prishtinë dhe me veturë kanë shkuar në drejtim të Shtimës, dhe rrugës së tranzitit janë futur në fshatin Petroviç, ku aty kanë ndaur veturën dhe nga e njëjta kanë dal tani i ndjeri F.G. dhe A.T.”, ka thënë Gjykata.
“Ndërsa A.T.1. dhe A.M, kanë mbetur në veturë, ashtu që të njëjtit të armatosur janë futur në shtëpinë e të dëmtuarit dhe nga aty kanë marrë shumën e të hollave prej 24.000 franga, ku në atë momente janë hetuar nga ana e familjarëve dhe gjatë përleshjes në terasën e shtëpisë, i dëmtuari N.N.
mbetet i plagosur dhe në atë gjendje së bashku me të dëmtuarin tjetër A.N., i ndjekin nga pas dhe pas diku 200-300 metra e kapin të pandehurin F. ku edhe aty përleshën me ç’rast në vendin e ngjarjes mbetet i vdekur F.G., ndërsa të pandehurit e tjerë me të dëgjyar krismat e armës, largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Ibrahim Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së parabur gimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e mbajtjes në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.