Vjehrria nga Gjermania ia marrin vizën nuses posa arrijnë në Kosovë, lajmërojnë familjen: ‘Motra juaj është e lëshume’

11:15 | 09 May 2022

Dy mërgimtarë nga Gjermania, një burrë dhe një grua kanë përfunduar në Polici me të ardhur në Kosovë, pasi u denoncuan nga nusja e tyre për dhunë në familje.

Rasti ka ndodhur në fshatin Banjë të Istogut dhe sherri plasi pasi vjehrritë ia morën dokumentet e udhëtimit.

Më 7 maj, nusja mbërriti në Kosovë bashkë me vjehrritë për të kaluar pushimet, por siç duket asgjë nuk shkoi siç e kishin planifikuar.

Viktima i raportoi prindërit e bashkëshortit në Polici pasi të njëjtit ia morën dokumentet dhe e lajmëruan familjen e saj se “motra juaj është e lëshume”, raporton Sinjali.

Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se gjithçka ndodhi me qëllim nga vjehrria, pasi sipas saj ajo është e martuar me djalin e tyre që shtatë vite dhe nuk kanë fëmijë ende. Përveç motivit që ajo e zbuloi në Polici, e njëjta ka deklaruar se është viktimë edhe e dhunës fizike dhe psikike që ia kanë shkaktuar të dyshuarit.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka ftuar të dyshuarit për intervistim. Të njëjtit i kanë mohuar pretendimet e viktimës, duke u shprehur se ia kanë marrë dokumentet nuses, por ia kanë kthyer sërish.

Prokurori kujdestar, pas intervistimnit, ka marrë vendim që të dyshuarit, vjehrritë e viktimës, njëri 57 e tjetri 58 vjeçar, t’i dërgojë në mbajtje në kohëzgjatje për 48 orë.

Komento: