Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të nis në “çdo kohë”. Kështu tha zv/zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
“Rruga për diplomacinë mbetet në dispozicion…por ne jemi të qartë për perspektivat në terren”, (me mbi 100 mijë trupa ruse të grumbulluara në kufi me Ukrainën), tha Jeane Pierre në konferencën e përditshme me median në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse Rusia pushton Ukrainën ne jemi të gatshëm të imponojmë kosto të rënda ndaj Rusisë, në koordinim me aleatët dhe partnerët tanë”, shtoi ajo.
“Mbetet e paqartë rruga që do të zgjedh të ndjek Rusia, sepse ne nuk e dimë se çfarë vendimi do të marrë ai (Putin). Ne jemi në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë”, tha ajo.
Javën e kaluar SHBA paralajmëroi se këtë javë, Rusia mund të nis pushtimin e Ukrainës. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e shpalli të mërkurën e 16 shkurtit, “Ditë Kombëtare të Unitetit”, derisa tha se kjo edhe mund të jetë dita kur do të sulmohen.
Rusia nuk ka thënë asnjëherë se planifikon pushtimin e Ukrainës.