Vjen reagimi i Thaçit: Të hiqet taksa, të mos shërbehemi me teke e populizëm

16:27 | 19 Janar 2019

Çështja e taksës kundër Serbisë, është tema më e diskutuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të respektojë këshillat amerikane që janë dhënë së fundmi për taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake. Ka thënë se këshillat amerikanë nuk kanë për qëllim të dëmtojnë Kosovën por ta fuqizojnë atë.

“Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit”, ka shkruar Presidenti Thaçi, në një reagim në Fb.

Departamenti i Shtetit, në fund të vitit të kaluar i kishte shkruar Kryeministrit të Kosovës që të heq taksën.

Është përsëritur e njëjta kërkesë drejtuar udhëheqësve të Kosovës edhe nga Ambasada në Prishtinë. Është thënë se Amerika kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës.

“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa. Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane, dërguar “Kohës Ditore”.

Presidenti i Kosovës ka thënë se përkrahja e Amerikës është e kushtëzuar nëse Kosova bën gabime.

“Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë. Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane”, ka shtuar ai.

Heqjen e taksës e ka kundërshtuar Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës. Shefin e Qeverisë e ka përkrahur edhe Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës ka thënë se Shteti nuk duhet të mbetet peng i tekeve të asnjë lideri dhe as të populizmit të tyre.

“Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë. Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në. Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë. “, ka shtuar ai.

Dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar pasi Beogradi po refuzon të shkojë në dialog pa u hequr taksa ndaj produkteve serbe.

Presidenti i Amerikës, Donald Trump, nëpërmjet një letre dërguar Thaçit, kishte kërkuar arritjen e një marrëveshje të shpejtë. Kishte kërkuar që marrëveshje Kosovë-Serbi të ishte e balancuar.

Amerika ka dhënë shenja se do të përkrahë çfarëdo marrëveshje që pajtohen Kosova dhe Serbia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj kanë pasur përplasje edhe sa i përket temave që mund të fliten në dialogun me Serbinë.

Thaçi e ka çuar përpara idenë e tij për korrigjim e ndryshim kufijsh. Haradinaj ka thënë se askush s’guxon t;i prek kufijtë e Kosovës.

Komento: