Vjosa Osmani e cila dështoi në zgjedhjet e fundit për t’u bërë Kryeministre e Kosovës, ju ka kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vucic se partia e saj po e fut në kurth liderin e VV’së, Albin Kurtin.
Osmani ka thënë se Vucic jo edhe rastësisht ishte ministër i propagandës në kohën e Milosevicit, i cili me propagandën e tij arriti të mashtronte diplomatët e botës, por sipas Osamnit Kosova nuk do të bie pre e këtyre konspiracioneve të tija.
Sipas Osmanit LDK nuk i punon askujt pas shpinës, prandaj Qeveria e ardhshme LDK-VV do të krijohet në mënyrë të barabartë dhe fal bashkëpunimit mes dy partive.
Postimi i plotë nga Osmani:
Jo rastësisht Aleksandar Vucic ishte ministër i propagandës në kohën e Milloshevicit. Pikërisht këtë, propagandën pra, e bënë më së miri. Kështu, për fat të keq, ka arritur të mashtrojë disa diplomatë anekënd botës, të cilët i besojnë lotëve të tij të krokodilit dhe aktrimit të tij dramatik sa herë flitet për Kosovën. Por, askush në Kosovë nuk duhet të bie pre e konspiracioneve të Vucicit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndërtuar dhe ka insistuar për parimin në bazë të të cilit kushdo që i fiton zgjedhjet edhe e propozon Kryeministrin. LDK nuk i punon askujt pas shpine e aq më pak nëpërmjet lojërave që janë produkt i mendjeve konspiracioniste siç është ajo e Vucicit.
Të gjithë ne në LDK jemi të angazhuar që Qeveria e ardhshme LDK-VV të krijohet si partneritet mes të barabartëve dhe si marrëveshje ku mirëbesimi është alfa dhe omega e bashkëpunimit tonë. Vucic dhe disa të tjerë që po përpiqen e po investojnë në prishjen e një partneriteti të tillë do të përfundojnë duarthatë.