Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit? Flet Lutfi Haziri

22:26 | 18 Tetor 2019

Pas zgjedhjeve të parakohshme, po diskutohet për koalicionin e mundshëm LDK-LVV.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se koalicioni mes partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të nënshkruhet, që të dyja të udhëheqin qeverinë e ardhshme të vendit.

Ai ka thënë se “do të ishte tragjike” nëse qeveria VV-LDK nuk do të ndodhte “për shkak të emrave apo ndarjeve të posteve”.

I pyetur nëse Vjosa Osmani do të bëhet kryetare e re e Kuvendit të Kosovës, siç kishte paralajmëruar kreu i VV’së, Albin Kurti, Haziri është përgjigjur: “Nuk janë ndarë ende ato përgjegjësi… s’mund të them asgjë”.

“Nëse na ndahet posti i kryetarit të Kuvendit, ne vendosim kush bëhet”, ka deklaruar ai në RTK, të premten.

Më herët, Haziri ka deklaruar se koalicioni VV-LDK do të formalizohet menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Ne mund ta bëjmë marrëveshjen, por ne nuk mund të hyjmë në institucione pa u bërë certifikimi”, ka thënë Haziri.

Komento: