Kandidatja për Kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në një tubim në Degën e 3-të të LDK-së, që njihet si dega e ish Presidentit Ibrahim Rugova.
Aty ajo ka thënë se pjesë e programit të tyre politik është luftimi i krimit dhe korrupsionit.
“Ne e kemi një parakusht, luftimi i kriminelëve. Kriminelet dhe korrupsioni nuk mund të luftohen nga të korruptuarit. Krimi dhe korrupsioni mund të luftohen nga njerëz me duar të pastra. Le ta dëgjojë secili nga kundërshtarët tanë: nuk ka qenie njerëzore që mund ta kontrollojë një kryeministre me duar të pastra”, ka thënë Osmani.
Ajo ka ftuar qytetarët e Kosovës që të mobilizohen si para 30 vjetësh.
“Ju lus për mobilizim si në vitet e 90-ta sepse shteti ynë është në rrezik. Mos ua falni asnjë sekond atyre që deri sot e shkatërruan të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka thënë ajo.