Vjosa Osmani pret në takim lamtumirës Kosnettin, e dekoron me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

18:15 | 13 Shtator 2021

Osmani pret në takim lamtumirës Kosnett, e dekoron me urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përshëndetës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Osmani e ka falënderuar Kosnettin për “punën e palodhshme dhe angazhimin jashtëzakonisht aktiv gjatë misionit të tij në vendin tonë”.

“Puna e ambasadorit Kosnett dhe të stafit të tij janë po ashtu kontribuese të rëndësishme në drejtim të mbajtjes së Kosovës lartë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-ve”.

Palët diskutuan edhe për raportet e thella e strategjike ndërmjet të dy vendeve, me ç’rast Presidentja Osmani vlerësoi se tashmë jemi në një etapë të re të bashkëpunimit bilateral, e cila krijon mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në vitet në vijim, thuhet në komunikatën nga Zyra e Presidencës.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e punës së tij dhe konfirmoi se raporti në mes të Kosovës dhe SHBA-ve do të jetë përherë i fort dhe i pakontestueshëm.

“Në takim palët vlerësuan lartë edhe faktin se raporti në mes të dy vendeve tona po zhvillohet gradualisht me një dinamikë të re e premtuese, ku Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë partner aktiv dhe kontributdhënës në procese të ndryshme strategjike. Në këtë kontekst, u apostrofua vendimi i fundit i insitucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afgan, angazhimin e FSK-së në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën ndaj terrorizmit. Në shenjë të mirënjohjes së thellë, Presidentja Osmani e dekoroi ambasadorin Kosnett me urdhërin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend”, thuhet tutje.

Komento: