Vjosa Osmani thotë se britanikët kundër prekjes së kufijve.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Londër, ku janë takuar me deputetë të Parlamentit Britanik dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.
Ambasada e Kosovës në Londër sonte ka organizuar një mbrëmje për deputetët e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë në Britani.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani deklaroi se qëllimi i Komisionit për Punë të Jashtme është që të zhvillojë diplomacinë dhe ta rrisin doplomacinë. Ajo tregoi se gjatë dy ditëve të qëndrimit në Londër, kanë zhvilluar takime të shumta në Parlament dhe me komisionin homolog. Ajo pohoi se në takime kanë biseduar për dialogun Kosovë – Serbi, dhe për të ardhmen e Kosovës.
Osmani tregoi se janë pajtuar se idetë e rrezikshme për ndarje të kufirit, janë ide të shekullit të 18-të dhe i takojnë të së kaluarës dhe Britania e Madhe nuk e përkrah atë ide. “Dialogu ka dalë nga binarët dhe në tavolinë është vendosur sovraniteti i Kosovës dhe urgjentisht kjo temë duhet të largohet nga dialogu dhe që dy qeveritë të dialogojnë për tema të rëndësishme për të dy vendet. Ideja e ndryshimit të territoreve, është ide domino dhe nuk guxon të dialogohet”, tha ajo.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka pohuar se Londra dhe qeveria britanike janë përkrahës të fuqishme të shtetit të Kosovës, “e cila e ka mbështet në të gjitha periudhat Kosovën dhe po vazhdon me mbështet”.
Deputetja Kadrijaj ka thënë se në takimet që kanë pasur me deputetët dhe Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, u është rikonfirmuar mbështetja që do t’i japin shtetit të Kosovës.
Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka pohuar se qëllimi i vizitës është thellimi i bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës dhe atyre Britanike. Ajo tha se këto vizita duhet të shpeshtohen, në mënyrë që të thellohet më shumë bashkëpunimi mes dy vendeve.
Sipas saj, në takime tema kryesore që është diskutuar, ishte që të shohin qëndrimin e partive politike rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, “të cilin Britania e kundërshton fuqishëm”. Ajo ka pohuar se tani e kanë fituar edhe një aleat më shumë në kundërshtimin e kësaj ideje, që po i kanoset Kosovës nga presidenti Thaçi dhe ai i Serbisë, Vuçiq, përcjell KP.
Pacolli ka pohuar se është biseduar edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e investimeve britanike në Kosovë.