Vjosa Osmani tregon se çfarë do të ndodh nëse do t’i mohohet kandidatura për kryetare të LDK-së

09:58 | 01 May 2019

Vjosa Osmani thotë se mohimi i kandidaturës së saj për kryetare të LDK-së do të thotë përjashtim nga partia.

Vjosa Osmani, deputetja më e votuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka folur dje për zhvillimet e përgjithshme të Samitit të Berlinit, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjedhjet e brendshme për kryetar të LDK-së.

Nga elektorati i LDK-së, Vjosa Osmani shihet si kandidatja kryesore për të marrë timonin e LDK-së, por ajo ka kundër kandidat potencial kryetarin e tanishëm të Gjilanit, Lutfi Hazirin. E thumbimet mes këtyre dyve nuk kanë munguar kohëve të fundit, kur po afrohen zgjedhjet e brendshme për kryetar të LDK-së.

Osmani është shprehur se me statut të partisë secili delegat që është anëtar ka të drejtë për kandidim.

“Statuti i LDK-së i lejon secilit anëtar që është delegat me kandidu për kryetar. Për mua në një kandidaturë potenciale mohimi i saj është mohim i anëtarësisë. E kam thënë publikisht po e përsëris, për mua është një lloj përjashtimi nga partia. Hera e kaluar ka qenë diçka tjetër, aty kam qenë kryesisht për të quar zërin e atyre që kanë qenë kundër koalicionit me PDK-në. Mohimi I kandidaturës duhet me u konsideru si mohim i anëtarisë dikujt do të thotë që nuk të konsideroj anëtar, unë kështu e përkthej. Nëse nuk më konsideroni anëtare atëherë po i bie që ju po më përjashtoni”.

Ajo më tej ka folur për përvojën e saj profesionale tash e sa vjet nëpër institucione që e bëjnë atë kandidate të denjë për kryetare të LDK-së.

“Nëse unë nuk jam e denjë me gati 20 vjet në LDK dhe 13 vjet me përvojë profesionale në institucione të larta, atëherë kjo nuk do të ishte e drejtë. Megjithatë po flas hipotetikisht, ta shohim çka do të ndodhë. Unë nuk besoj që kësaj rradhe ka vullnet nga njerëzit me kriju situatata të tilla. Mund të ketë të paktë që e mendojnë por pjesa dërmuese nuk e kanë atë qëllim që ta bllokojnë kandidaturën time”.

Komento: