Vlera e Euro-s bie në nivelin më të ulët në 14 muajt e fundit

12:36 | 10 October 2021

Në tregjet botërore, vlera e dollarit kundrejt një shporte të monedhave mbeti praktikisht e pandryshuar javën e kaluar, pas katër javësh rritjeje, me euron që ra në nivelin më të ulët në 14 muaj.

Indeksi i dollarit, i cili tregon lëvizjen e valutës amerikane kundrejt gjashtë monedhave të tjera më të rëndësishme botërore, u dobësua 0.05 përqind javën e kaluar, në 94.02 pikë.

Në të njëjtën kohë, kursi i këmbimit të dollarit kundrejt monedhës japoneze u rrit me gati 1 përqind, në 112.20 jen.

Monedha amerikane gjithashtu u forcua kundrejt monedhës evropiane, me 0.2 përqind, ashtu që çmimi i euros ra në 1.1570 dollarë, jo shumë larg nivelit më të ulët që nga korriku i vitit të kaluar.

Mbështetja për dollarin, të cilin investitorët e shohin si strehë të sigurt për kapitalin në kohë të pasigurt, është nxitur gjatë gjithë javës nga paralajmërimi i tregjeve të kapitalit mbi një rritje të mprehtë të çmimeve të energjisë, e cila mund të ngadalësojë rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Kërcimi i çmimeve të naftës dhe gazit ka forcuar frikën e përshpejtimit të inflacionit, duke rritur yield-et e bonove qeveritare pasi investitorët besojnë se bankat qendrore do të detyrohen t’i rrisin normat e interesit për ta frenuar rritjen e çmimeve.

Rendimentet në bonot 10-vjeçare të qeverisë amerikane gjithashtu arritën në 1.6010 përqind, niveli më i lartë që nga fillimi i qershorit.

Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se ka të ngjarë të fillojë t’i zvogëlojë blerjet mujore të bonove qysh në nëntor, e cila mund të pasohet nga një rritje e normave të interesit vitin e ardhshëm.

Komento: